Xavi zbulon sekretin, tregon pse e refuzoi Brazilin për Barcelonën

  • S.A /
  • 09 November 2021 - 09:14
Xavi zbulon sekretin, tregon pse e refuzoi Brazilin për Barcelonën

Xavi Hernandez ka zbuluar se e kishte hedhur poshtë një ofertë për ta marrë drejtimin e Kombëtares së Brazilit, para se ta pranonte postin e trajnerit të Barcelonës.

Brazili i kishte ofruar Xavit mundësinë të punonte bashkë me trajnerin e tanishëm të ekipit kombëtar, Tite, deri në Botërorin e vitin të ardhshëm, dhe pastaj ta merrte vetë në dorën drejtimin e pesë herë fituesit të Kupës së Botës.

Por Xavi e kishte hedhur poshtë ketë mundësi dhe kishte vazhduar të jetë trajner i Al-Sadd në pritje të Barcelonës.

Dhe Barcelona i trokiti në derë në fillim të këtij muaji, pasi e shkarkoi Ronald Koemanin, dhe Xavi u prezantua dhe nënshkroi kontratë si trajner i Barcelonës – me kohëzgjatje deri në vitin 2024 – përkrah presidentit të klubit Joan Laporta të hënën në Camp Nou.

Duke folur gjatë prezantimit si trajner i Barçës, Xavi konfirmoi: “Është e vërtetë që kam folur me Brazilin. Ideja ishte ta ndihmoja Titen dhe pastaj ta merrja në dorë ekipin vetë pas Botërorit”.

“Por ëndrra ime ishte të vija në Barcelonë. Ndihem i gatshëm dhe plot vetëbesim. Ndiej se ky është çasti”, shtoi ai.

Barça e mori dritën e gjelbër për emërimin e tij të premten, pasi e pagoi klauzolën e lirimit në kontratën e 41-vjeçarit me klubin e Katarit, Al-Sadd.

Xavi, i cili luajti 17 vjet për Barcelonën duke i fituar 25 trofe në 767 paraqitje, u prezantua të hënën para mijëra shikuesve në Camp Nou.

(Kosova Sot Online )