Si u prishën marrëdhëniet mes Calhanoglut dhe tifozëve të Milanit

  • S.A /
  • 09 November 2021 - 10:15
Si u prishën marrëdhëniet mes Calhanoglut dhe tifozëve të Milanit

Tifozët e Milanit nuk e kanë dashuruar kurrë vërtet Hakan Calhanoglun, por zhvillimet e fundit pas derbit të Milanos i kanë shkatërruar marrëdhëniet mes tyre përherë.

Mesfushori turk u fishkëllye nga ish-tifozët e vet para, gjatë dhe pas derbit të së dielës mes Interit dhe Milanit.

Ishte ndeshja e parë e Calhanoglut kundër Milanit që prej se ai iu bashkua Interit si lojtar i lirë në verë.

27-vjeçari i kaloi katër sezone në Milan, duke i shënuar 32 gola në 172 paraqitje.

Ai iu bashkua Interit si lojtar i lirë në qershor, duke e pranuar një ofertë e cila ishte vetëm 500 mijë euro më e lartë se ajo e kuqezinjve.

Pak javë më vonë, Calhanoglu shpjegoi se Stefano Pioli ishe njeriu i vetëm që e donte atë vërtet në Milan.

Në shtator, ai tha se nuk kishte probleme me tifozët e Milanit, të cilët i kërkonin shpesh autografe dhe fotografi kur takoheshin në rrugët e Milanos.

Kur ishte pyetur nëse do të festonte po të shënonte kundër kuqezinjve, ai ishte përgjigjur: “Do ta bëj si zakonisht”.

Megjithatë, festimi i golit kundër ish-klubit nuk ishte i zakonshëm. Calhanoglu shënoi nga penalltia dhe i vendosi duart pas veshëve dhe ua nguli sytë tifozëve të Milanit.

Një ditë pas ndeshjes, ai e publikoi një video nga goli i tij në derbi në rrjetet sociale, ku shkroi: “Unë jam Hakan, unë jam Inter”.

Tifozëve të Milanit s’u pëlqeu kjo dhe ata e shpalosën një baner fyes ndaj tij të hënën mbrëma.

Tifozët e Milanit kurrë nuk e kanë dashuruar vërtet Calhanoglun gjatë katër viteve të tij në San Siro, duke e akuzuar shpesh për mungesë të vazhdimësisë në fushë.

Ai do të takohet prapë më ta, më 6 shkurt, në ndeshjen kthyese në Giuseppe Meazza.

(Kosova Sot Online )