Kumbulla do të qëndrojë në Serie A por larg Romës

  • S.A /
  • 10 November 2021 - 11:02
Kumbulla do të qëndrojë në Serie A por larg Romës

E ardhmja e Marash Kumbullës është gjithnjë e më larg qytetit të përjetshëm.

Jose Mourinho e ka aktivizuar vetëm një herë si titullar në këtë sezon në Serie A pikërisht në ndeshjen e fundit ndaj Venezias madje edhe në atë sfidë e zëvendësoi në minutën e 65-të, me shqiptarin që tashmë duket se ka dalë plotësisht jashtë planeve të trajnerit portugez.

Afati kalimtar i janarit është mundësia më e mirë për qendërmbrojtësin për të ndërruar ambient dhe për të rigjetur formacionin por edhe formën më të mirë në një tjetër skuadër.

Ofertat për 21-vjeçarin nuk mungojnë as nga klubet e tjera të Serie A dhe së fundmi në skenë për mbrojtësin që aktualisht është i zënë me kombëtaren shqiptare për dy ndeshjet e fundit eliminatore ndaj Anglisë dhe Andorrës ka dalë në skenë Torino.

Kumbulla mund të bëhet shok skuadre me Etrit Berishën edhe në Serie A, pasi klubi “granata” e ka seriozisht.

Trajneri Ivan Juric i ka kërkuar presidentit Urbano Cairo një përforcim të vlefshëm në qendër të mbrojtjes dhe Kumbulla është i preferuari i trajnerit kroat.

Ka qenë pikërisht Juric ai që e ngriti në futbollin e madh mbrojtësin e talentuar duke e aktivizuar rregullisht te Verona në moshën 19-vjeçare në sezonin 2019-2020 dhe me Juric në stol, te Torino Kumbulla mund ta ketë të thjeshtë të rigjejë veten.

(Kosova Sot Online )