Aguero i detyruar të lërë anash për tre muaj futbollin, a do të pensionohet para kohe?

  • S.A /
  • 12 November 2021 - 13:44
Aguero i detyruar të lërë anash për tre muaj futbollin, a do të pensionohet para kohe?

Problemet me zemrën mund ta detyrojnë Sergio Agueron ta mbyllë para kohe me futbollin e luajtur.

Analizat e kryera së fundmi tregojnë se argjentinasi ka disa probleme kardiake më të komplikuara seç pritej dhe mund ta detyrojnë sulmuesin që ta mbyllë me futbollin e luajtur para kohe.

Vetë lojtari po e sheh si mundësi tërheqjen nga futbolli, një veprim që do ishte i justifikueshëm, për situatën ku ndodhet 33-vjeçari.

Mjekët i kanë rekomanduar Agueros që opsioni më i mirë i mundshëm është që ai të varë këpucët në gozhdë, për të mos rrezikuar ndonjë komplikacion tjetër, që mund të kishte akoma dhe më shumë pasoja.

Argjentinasi u largua nga fusha e lojës në ndeshjen mes Barcelonës dhe Alaves në datën 30 tetor në minutën e 42-të, pasi shfaqi vështirësi në frymarrje e që nga ajo sfidë, sulmuesi ka kryer që gjitha ekzaminimet, të cilët nuk i japin sinjale të mira.

Për së paku 3 muaj Aguero është i detyruar të qëndrojë larg fushave të blerta, për t’u trajtuar plotësisht, megjithatë nuk përjashtohet mundësia që ajo sfidë e javës së 12-të e La Ligas të ketë qenë e fundit për argjentinasin, i cili mund të marrë vendimin për ta mbyllur me futbollin e luajtur.

Aguero ka luajtur vetëm 166 minuta në kampionat dhe Champions League me Barcelonën në 5 takimet që është aktivizuar duke shënuar dhe 1 gol në La Liga.

33-vjeçari ka një karrierë të pësaur, teksa ka luajtur për shumë vite me Manchester City dhe Atletico Madrid.

Sulmuesi është shpallur nënkampion bote me Argjentinën në vitin 2014 dhe ka fituar 5 tituj kampion në Angli.

(Kosova Sot Online )