Kualifikimet për Euro U21: Kosova e kërkon fitoren e parë kundër Shqipërisë

  • S.A /
  • 16 November 2021 - 11:44
Kualifikimet për Euro U21: Kosova e kërkon fitoren e parë kundër Shqipërisë

Kosova U21 do të kërkojë ta mposhtë Shqipërinë U21 për herë të parë në tri përballje, kur të takohet me të sonte në një ndeshje kualifikuese për Kampionatin Evropian U21 në Prishtinë.

Dardanët janë pothuajse të pashpresë për ta arritur kualifikimin për herë të parë në një turne të madh, megjithatë kuqezinjtë janë ende bindshëm në garë ende për kualifikim në Euro 2023.

Takimi i rrethit të gjashtë kualifikues do të zhvillohet në Stadiumin Fadil Vokrri në orën 19:00.

Kosova është e parafundit në Grupin G kualifikues me vetëm 3 pikë nga katër ndeshje, ndërsa Shqipëria është e treta më 9 pikë nga pesë ndeshje.

Republika e Çekisë është lidere e grupit me 12 pikë, e ndjekur nga Anglia me 1o pikë. Sllovenia është e katërta me 7 pikë, ndërsa Andorra është e fundit pa pikë. 

Vendi i parë shkon direkt në Euro 2023, ndërsa vendi i dytë shkon në play-off për kualifikim.

Për dallim nga kuqezinjtë që i kanë fituar tri nga pesë ndeshjet e fundit, verdhekaltrit i kanë humbur katër nga pesë ndeshjet e fundit.

Ky do të jetë takimi i tretë kokë më kokë mes Kosovës dhe Shqipërisë, me këtë të fundit që i ka fituar dy të parat. 

Image

(Kosova Sot Online )