Edouard Mendy ankohet për përdorimin e fotografive të tij në lajmet për Benjamin Mendy

  • S.A /
  • 18 November 2021 - 12:53
Edouard Mendy ankohet për përdorimin e fotografive të tij në lajmet për Benjamin Mendy

Portieri i Chelsea, Edouard Mendy, është ankuar ndaj mediave që e përdorën gabimisht fotografinë e tij në lajmet për mbrojtësin e Manchester City, Benjamin Mendy.

Ndaj mbrojtësit anësor të City dhe Francës, Benjamin Mendy, është ngritur një aktakuzë me gjashtë akuza për përdhunim dhe me një akuzë për sulm seksual, dhe ai ndodhet në paraburgim. Fotografitë e Edouard Mendy dhe kushëririt të tij, Ferland Mendy të Real Madridit, janë përdorur për ilustrimin e shkrimeve për aktakuzën ndaj Benjamin Mendy.

Edouard Mendy tha se përdorimi i tyre ishte tejet simbolik.

“E trishtueshme ta shohësh që në vitin 2021, në Francë dhe në Angli, për dike, njerëzit me ngjyrë nuk kanë as emra as dallime në fytyre”, shkroi në Instagram portieri i Senegalit.

“Këto ‘gabime’ të fotografive duken anekdota, por në fakt janë e kundërta, janë tejet simbolike”.

Ai shtoi: “Nuk është aq e vështirë t’i dallosh dy fytyra të ndryshme, veçanërisht kur fanella e futbollit të ndihmon shumë”.

(Kosova Sot Online )