Drenica në krizë të falimentimit, lojtarët qe dy muaj pa rroga, dorëhiqet kryesia

  • S.A /
  • 18 November 2021 - 12:56
Drenica në krizë të falimentimit, lojtarët qe dy muaj pa rroga, dorëhiqet kryesia

Klubet kosovare ka nisur t’i kaplojë një krizë financiare.

Disa prej tyre kanë nisur t’i vonojnë rrogat, ndërsa një prej tyre ka mbetur tashmë edhe pa kryesi.

Në fakt, klubi i futbollit Drenica ka mbetur pa “zot shtëpie”.

Kuqezinjtë e kishin nisur sezonin në mënyrë të mrekullueshme duke e marrë primatin në Superligë.

Madje, kishte prej tyre që e shihnin këtë ekip edhe pretendent për ta fituar titullin e kampionit.

Por, gjatë rrugës ky klub e mori tatëpjetën.

Drenicasit i kaploi kriza financiare dhe si rezultat i kësaj, ky klub tash mbeti edhe pa kryesi.

“KF Drenica merr një goditje të rëndë para derbit me Dritën në Gjilan. Kryesia e klubit sot, pas situatës së krijuar në klub ka dhënë dorëheqje nga drejtimi i klubit. Dorëheqja vjen si rrjedhojë e pamundësisë së financimit të klubit dhe pamundësisë për t’i përmbushur obligimet e klubit”, njofton klubi drenicas përmes faqes zyrtare në rrjetet sociale. Që nga sot, klubi kosovar është i hapur për të gjithë të interesuarit për ta mbështetur atë dhe për të investuar në klub, për të çuar atë përpara.

Obligimet financiare nuk iu janë përmbushur futbollistëve tash e dy muaj dhe kjo ndikoi edhe në rënien e formës tek drenicasit, të cilët e nisën edicionin në mënyrë fantastike.

Drenicasit ishin riorganizuar mjaft mirë para fillimit të sezonit dhe i befasuan të gjithë në fillim të tij.

Por, kriza financiare më pas rezultoi edhe në paraqitje të ekipit dhe në rezultate, të cilat nuk ishin të favorshme.

Të shtunën Drenica udhëton në Gjilan për t’u përballur me Dritën në stadiumin e qytetit me fillim nga ora 13:00. 

https://www.facebook.com/kfdrenica/?__cft__[0]=AZWrFAdSer2aEm3lEK3AIrEUgTrVglwybljgprnrh_v7LKLWNyh_xwYXKIM46Ounp__C9NQxYcouo2l9aogpbzh6lCKCKndSb97g5IfZqBx-aNOMF-tmfhEyWpyAjiQVttnL4faPldQJwlOKp5wwdlFy&__tn__=-UC%2CP-R

(Kosova Sot Online )