Talenti 18-vjeçar i Romës: Faleminderit Mourinhos dhe nënës

  • S.A /
  • 22 November 2021 - 10:23
Talenti 18-vjeçar i Romës: Faleminderit Mourinhos dhe nënës

Felix Afena-Gyan e ka falënderuar trajnerin e vet Jose Mourinhos për mundësinë që ia dha ta shfaqë talentin e madh në fitoren e Romës 2:0 kundër Genoas të dielën në Serie A.

Talenti 18-vjeçar Felix Afena-Gyan i shënoi dy gola të vonshëm në stadiumin Luigi Ferraris, për ta kthyer Romën në binarë pas dy humbjeve radhazi. Para këtij takimi, Afena-Gyan i kishte vërë vetëm dy paraqitje nga stoli në ligë këtë sezon, para se të futej në lojë nga Mourinho në Marassi kur rezultati ishte 0:0.

Afena-Gyan e theu akullin në minutën e 82-të, kur shënoi nga afërsia pasi u shërbye nga Henrikh Mkhitaryan.

Ai e dyfishoi epërsinë e Romës me një gol të jashtëzakonshëm nga rreth 30 metra largësi në minutën e 94-të.

Duke folur pas ndeshjes, 18-vjeçari tha: “E falënderoj Zotin që ma dha këtë mundësi, pastaj trajnerin, tifozët dhe lojtarët për mbështetjen e tyre të mahnitshme.”

“Dua ta falënderoj edhe nënën time. Ajo është në Gana, ‘të dua’. Sonte m’u bë ëndrra realitet”, shtoi ai.

Ai u bë lojtari i parë i lindur në vitin 2003 që e shënon një gol në Serie A, e lërë më dy gola.

Mourinho e nxori atë nga ekipi i të rinjve të Romës për ta plotësuar numrin e lojtarëve në skuadrën e vet. 

(Kosova Sot Online )