Reagon ashpër ministrja e Sportit e Francës, pas incidentit në ndeshjen Lyon – Marseille

  • S.A /
  • 22 November 2021 - 10:34
Reagon ashpër ministrja e Sportit e Francës, pas incidentit në ndeshjen Lyon – Marseille

Ministrja e Sportit e Francës, Roxana Maracineanu, e ka dënuar ashpër veprimin e dhunshëm ndaj futbollistit Dimitri Payet, që ndikoi në braktisjen e ndeshjes derbi të Ligue 1 mes Lyonit dhe Marseilles të dielën.

Sulmuesi i Marseille Payet u godit në kokë me një shishe të mbushur plot ujë nga një tifoz vendas kur shkoi për ta rivënë topin në lojë nga goditja e këndit në minutën e 5-të në Stadiumin Groupama. Gjyqtari i urdhëroi lojtarët t’u ktheheshin në zhveshtore menjëherë dhe ndeshja u ndërpre përkohësisht për rreth dy orë, para se gjyqtari të vendoste përfundimisht për anulimin e saj.

Duke folur mbrëmë për incidentin, ministrja franceze bëri thirrje që t’i jepet fund menjëherë e përgjithmonë veprimeve të dhunshme nga tifozët në stadiumet e futbollit në vend.

“Ajo që ndodhi sonte (e diele) është e papranueshme. Është e papranueshme që lojtarët të sulmohen në këtë mënyrë gjatë ndeshjes. Me mendje jam te Dimitri Payet. Fatmirësisht, njeriu i cili gjuajti me shishe është identifikuar dhe është arrestuar. Duket se ai ka vepruar i vetëm”, tha ajo.

Maracineanu shtoi: “Ne e dënojmë këtë veprim sepse ne nuk mund të lejojmë më që ndeshjet të jenë pengje të individëve kaq të rrezikshëm, të cilët sulmojnë integritetin e lojtarëve”.

Ndeshja u ndërpre në minutën e 7-të, kur gjyqtari vendosi t’i kthente lojtarët e të dy ekipeve në zhveshtore.

Payet u godit në kokë me një shishe të mbushur plot ujë nga një tifoz kur shkoi për ta rivënë topin në lojë nga goditja e këndit në minutën e 5-të.Atij iu nevojit trajtimi mjekësor në fushë para se të largohej drejt zhveshtores pas shokëve të tij.

Pas më shumë se një orë ndërprerjeje, spikeri i stadiumit njoftoi se takimi do të rifillonte pas pak. Lojtarët e Lyonit u kthyen në fushë dhe rifilluan të ngrohen për rinisjen e takimit, por jo edhe ata të Marseille që ngelën brenda zhveshtores.

Dhe pas gati dy orësh ndërprerjeje, gjyqtari ndërroi mendjen dhe vendosi ta anulojë përfundimisht takimin. “Gjyqtari vendosi të mos e rifillojë ndeshjen duke e parë se siguria e lojtarëve nuk ishte garantuar”, njoftoi spikeri i stadiumit.

(Kosova Sot Online )