Kjo është gjendja e Payet, pasi u godit dhunshëm në kokë nga një tifoz

  • S.A /
  • 22 November 2021 - 14:15
Kjo është gjendja e Payet, pasi u godit dhunshëm në kokë nga një tifoz

Dimitri Payet ka munguar në stërvitjen e Marsielles mëngjesin e sotëm, një ditë pasi u godit dhunshëm në kokë me një shishe uji nga një tifoz, në një incident që çoi në braktisjen e ndeshjes me Lyonin të dielën.

Sulmuesi i Marseille Payet u godit në kokë me një shishe të mbushur plot ujë nga një tifoz vendas kur shkoi për ta rivënë topin në lojë nga goditja e këndit në minutën e 5-të në Stadiumin Groupama.

Gjyqtari i urdhëroi lojtarët t’u ktheheshin në zhveshtore menjëherë dhe ndeshja u ndërpre përkohësisht për rreth dy orë, para se gjyqtari të vendoste përfundimisht për anulimin e saj.

Duke folur pas anulimit të ndeshjes, presidenti i Marseille, Pablo Longoria, tha se Payeti u prek fizikisht dhe mendërisht nga ky incident.

“Dimitri është i prekur mendërisht, kjo nuk është normale. Ne gjithmonë e kemi dënuar çdo lloj dhune, sepse e prek çdokënd. Të gjithë ata që e duan futbollin nuk mund të jenë të lumtur sonte. Ishte goditje e dhunshme, nga e cila ai u prek dhe iu desh të vendosë akull në kokë në zhveshtore”, tha Longoria.

Si pasojë e përjetimeve të mbrëmshme, Payet nuk mori pjesë në stërvitjen e sotme të Marseille. Seanca stërvitore nisi në orën 11:30 dhe Payet nuk u pa fare në qendrën stërvitore, sipas mediave franceze.

Tifozi që e hodhi shishën plot ujë në kokën e yllit francez është arrestuar menjëherë pas incidentit dhe është dërguar në mbajtje.

(Kosova Sot Online )