NBA: Phoenix në superformë, fitojnë Nets dhe Celtic, Rockets në krizë të thellë

  • S.A /
  • 23 November 2021 - 11:06
NBA: Phoenix në superformë, fitojnë Nets dhe Celtic, Rockets në krizë të thellë

Ecuria perfekte e Phoenix Suns në këtë sezon të NBA vazhdon. Nënkampionët e edicionit të shkuar regjistruan suksesin e 13-të rresht pasi mposhtën në transfertën e AT&T Center në Texas me rezultatin 115-111 San Antonio Spurs.

Një ndeshje e dominuar nga skuadra nga Arizona në tre periodat e para, ndërkohë që në 12-minutëshin e fundit Phoenix lëshoi disi terren por gjithsesi arriti të merrte fitoren e radhës. Davon Booker me 23 pikë dhe DeAndre Ayton me 21 pikë dhe 14 rebound ishin dy basketbollistët që spikatën më shumë për Suns në këtë sfidë, teksa falë paraqitjes së tyre thelluan edhe krizën e San Antonios që pësoi humbjen e 5-të radhazi. 

Moment i mirë edhe për kampionët e Milwaukee Bucks që regjistruan fitoren e 4-t radhazi falë suksesit të thjeshtë me shifrat e thella 123-92 ndaj Orlando Magic.

Me një Giannis Antetokounmpo jo në versionin e tij më të mirë pasi e mbylli ndeshjen me 12 pikë 8 rebound dhe 9 asiste, diferencën e bëri loja në grup e Bucks me Holiday që ishte shënuesi më i mirë për vendasit me 18 pikë. Mori fitoren e 6-të në 7 ndeshjet e fundit Brooklyn Nets që kryeson për momentin Konferencën e Lindjes me 13 fitore dhe 5 humbje.

Skuadra nju-jorkeze triumfoi brenda në Ohio përballë Cleveland Cavaliers me shifrat 117-112, për meritë edhe të Kevin Durant i cili realizoi 27 pikë.

Për të gjetur një ecuri më të dobët të Houston Rockets se kjo e këtij sezoni, duhen shfletuar librat e historisë. Skuadra teksane u mposht me shifrat 108-90 nga Boston Celtics duke pësuar humbjen e 15-të rresht. Jason Tatum me 30 pikë 6 rebound dhe 3 asiste ishte heroi i padiskutueshëm i 17-herë kampionëve të NBA që janë në një moment të mirë forme pasi morën fitoren e 3-të rresht.

(Kosova Sot Online )