Tuchel shpjegon se si Chelsea e shkatërroi Juventusin

  • S.A /
  • 24 November 2021 - 09:53
Tuchel shpjegon se si Chelsea e shkatërroi Juventusin

Trajneri i Chelsean, Thomas Tuchel, e lartësoi skuadrën e vet për një paraqitje, siç e quajti ai, të mahnitshme, në fitoren e thellë 4:0 kundër Juventusit në Ligën e Kampionëve të martën.

Juventusi e kishte të siguruar kalimin në rrethin e 16 më të mirëve dhe takimi i djeshëm me Chelsean ishte duel i drejtpërdrejt për vendin e parë në grup.

Për dallim nga disfata 1:0 në Torino në ndeshjen e parë, Chelsea e mbizotëroi skuadrën italiane nga fillimi të martën mbrëma në Stamford Bridge.

Trevor Chalobah, Reece James, Callum Hudson-Odoi dhe Timo Werner shënuan për fitoren e thellë të skuadrës së Thomas Tuchel.

Duke folur pas ndeshjes, Tuchel tha: “Ne deshëm të luanim me durim por jo të binim në gjumë njëkohësisht. Deshëm ta rrisim ritmin dhe intensitetin. Është shumë e vështirë të krijosh dhe të shënosh por ne krijuam shumë. Paraqitje e mahnitshëm dhe rezultat fantastik”.

“Ne ishim më të mprehtë sonte se sa në Torino, ne rrezikuam më shumë, diçka që na mungoi në Torino. Duke kontrolluar lojën nuk mund ta lëndosh Juventusin, duhet të depërtosh me vrapime pa top”, shpjegoi ai. 

(Kosova Sot Online )