Australia i reagon ashpër Djokovicit dhe familjes së tij

  • S.A /
  • 02 December 2021 - 10:26
Australia i reagon ashpër Djokovicit dhe familjes së tij

Ligji i Australian Open për vaksinim kundër Covid-19 është bërë për t’i mbrojtur njerëzit dhe qytetarët australianë, e jo për ta kërcënuar Novak Djokovicin, ka thënë ministri i Sportit i Victorias, Martin Pakula, në një reagim ndaj babait të tenistit serb.

Organizatori i grand slamit të parë të vitit ka thënë se të gjithë lojtarët që duan të marrin pjesë në turne duhet të jenë të vaksinuar kundër virusit, duke nxitur kritika nga babai i Djokovicit, Srdjan Djokovic. “Nën këto kërcënime dhe kushte, mbase Djokovic nuk do të luajë”, kishte thënë Srdjan Djokovic për mediat serbe.

Ministri i Sportit e Victorias Pakula tha se të gjithë atletët në shtetin e Australisë jugore, në të cilin mbahet Australian Open, janë të detyruar të jenë të vaksinuar.

“Nëse jeni lojtar ndërkombëtar i tenisit apo sportist i çfarëdo lloji dhe vini në Melbourne, atëherë mbani përgjegjësi ndaj komunitetit i cili ju mirëpret”, Pakula tha për mediat australiane.

“Për këtë arsye ne iu kërkojmë yjeve të tenisit ndërkombëtar që t’i ndjekin të gjitha udhëzimet si banorët e Victorias”, nënvizoi ai.

“Nuk ka të bëjë me kërcënim, por për t’u siguruar që komuniteti i Victorias është i mbrojtur”, shtoi ai.

Djokovic nuk ka treguar nëse është i vaksinuar ajo jo, por ka këmbëngulur: “Liria për të vendosur për veten është thelbësore për të gjithë, qofsha unë apo kushdo tjetër”.

(Kosova Sot Online  )