Prokurori italian mund ta marrë në pyetje edhe Ronaldon për dokumentin e fshehtë me Juventusin

  • S.A /
  • 02 December 2021 - 11:33
Prokurori italian mund ta marrë në pyetje edhe Ronaldon për dokumentin e fshehtë me Juventusin

Prokurori Publik i Torinos mund ta marrë në pyetje edhe Cristiano Ronaldon, si pjesë e hetimit që është duke u zhvilluar ndaj Juventusit për falsifikimin e pasqyrave financiare, sipas mediave italiane.

Presidenti i Juventusit Andrea Agnelli si dhe drejtorët dhe ish-drejtorët e klubit janë duke u hetuar për dyshimet se i kanë falsifikuar pasqyrat financiare të klubit.

Edhe ish-ylli i bardhezinjve Cristiano Ronaldo është i përfshirë disi, megjithëse portugezi nuk është nën hetime.

Zyra e Prokurorit në Torino është duke e shikuar një rast në lidhje me Ronaldon dhe një marrëveshje të fshehtë të tij me Juventusin.

Sipas shumë mediave në Itali, ekzistojnë biseda telefonike ku drejtorët e Juventusit flasin për një “dokument të famshëm që nuk duhej të ekzistonte teorikisht”.

Megjithatë, hetuesit nuk e kanë gjetur ende dokumentin dhe drejtorët e Juventusit që u morën në pyetje dështuan ta shpjegonin natyrën e marrëveshjes me Ronaldon.

Prokurori Publik i Torinos dëshiron të zbulojë se për çfarë marrëveshje bëhej fjalë, sepse ajo nuk ishte publikuar asnjëherë e as nuk ishte zbuluar para autoriteteve kompetente.

Prandaj, Ronaldo mund të merret në pyetje gjatë javëve në vijim për ta qartësuar situatën.

(Kosova Sot Online )