Me Hulk dhe Diego Costa, Atletico Mineiro e fiton titullin në Brazil pas gjysmë shekulli

  • S.A /
  • 03 December 2021 - 10:19
Me Hulk dhe Diego Costa, Atletico Mineiro e fiton titullin në Brazil pas gjysmë shekulli

Pas gjysmë shekulli Atletico Mineiro feston sërish.

Bardhezinjtë nga Belo Horizonte përmbysën 2 gola në harkun e 5 minutave në transfertën ndaj Bahias dhe dy javë para fundit të sezonit u shpallën matematikisht kampionë duke fituar titullin e dytë në historinë e klubit pas atij të vitit 1971.

Një sukses i merituar për Atletico Mineiron që e çoi përkohësisht në +11 pikë avantazhin ndaj Flamengos së vendit të dytë në renditjen e Serisë A braziliane.

Një titull i fituar nën shenjën e dy emrave të mëdhenj të futbollit, ish-sulmuesit të Portos dhe Zenitit, Hulk që është pjesë e skuadrës nga Mineirao që nga fillimi i këtij viti dhe Diego Costës ish-sulmuesit të Atletico Madrid në muajin gusht. Falë 18 golave dhe 7 asisteve të Hulk që është kryegolashënues i kampionatit por edhe 4 finalizimeve të Diego Costës dhe paraqitjeve fantastike të mesfushorit argjentinas Federico Matias Zaracho, Atletico Mineiro fitoi me meritë një kampionat të dominuar nga fillimi në fund.

Me një trajner si 58-vjeçari Cuca në stol por edhe me emra të tjerë si kiliani Eduardo Vargas, Keno apo edhe ishi i Interit dhe Romës Dodo, bardhezinjtë nga Belo Horizonte bënë një sezon për t’u vendosur në kornizë. Në transfertën ndaj Bahias ku Atletico Mineiro duhej minimalisht të evitonte humbjen e pa veten në disavantazh të dyfishtë pas golave të Luis Otavios dhe Gilbertos në minutat 62 dhe 66. Por një penallti e kthyer në gol nga Hulk në të 73-ën dhe dy finalizimet e Keno në minutat 74 dhe 77 përmbysën shifrat në favor të miqëve dhe në fund festa ishte e ligjshme për Hulk me shokë pasi sollën në Belo Horizonte titullin e dytë kampion.

(Kosova Sot Online )