Zyrtare: Sergio Aguero pensionohet nga futbolli

  • S.A /
  • 15 December 2021 - 12:47
Zyrtare: Sergio Aguero pensionohet nga futbolli

Sergio Aguero ka njoftuar i përlotur se është pensionuar nga futbolli, për shkak të telasheve në zemër.

Në një konferencë prekëse në Camp Nou, sulmuesi argjentinas Aguero njoftoi se ka vendosur t’i varë këpucët në gozhdë.

“Po e bëj këtë paraqitje për t’ju njoftuar se kam vendosur të mos luaj më futboll profesional. është një kohë shumë e vështirë”, tha Aguero në një konferencë për media në Camp Nou të mërkurën.

“Është një moment shumë i vështirë… është për shëndetin tim”.

“Dua t’u them të gjithëve se bëra gjithçka që ishte e mundur. Gjithmonë kam ëndërruar të luaj futboll, që kur isha pesë vjeç”.

“Dua të ndaj mirënjohjen time për të gjithë, pavarësisht se ku kam luajtur… Atletico Madrid… Manchester City… Barça”, përfundoi argjentinasi.

Sulmuesi argjentinas përjetoi vështirësi në frymëmarrje dhe shtrëngim në gjoks në një ndeshje të Barçës kundër Alavesit më 30 tetor.

“Këtë vendim e mora për shëndetin tim. Rashë në duart e sigurta të stafit mjekësor dhe ata më thanë që gjëja më e mirë është të mos luaj më futboll”, shtoi ai.

Testet mjekësore gjetën se 33-vjeçari ka çrregullime në të rrahurat e zemrës.

“Jam krenar dhe i lumtur me karrierën time. Kur isha 5 vjeç fillova të ëndërroja për të luajtur futboll, për të qenë në elitë. Kurrë nuk kam menduar se do t’ia dilja për të luajtur në Evropë”, nënvizoi ai.

(Kosova Sot Online )