Arteta flet për të dëbuarin Aubameyang, pas fitores kundër West Hamit

  • S.A /
  • 16 December 2021 - 08:59
Arteta flet për të dëbuarin Aubameyang, pas fitores kundër West Hamit

Mikel Arteta nuk ka pranuar të tregojë nëse i dëbuari Pierre-Emerick Aubameyang do të thirret në skuadër për ndeshjen e ardhshme të Arsenalit.

Arteta e largoi nga skuadra Aubameyangun për ndeshjen e së mërkurës kundër West Hamit, të cilën Arsenali i fitoi 2:0 në Emirates dhe u ngrit në vendin e katërt në Premierligë.

Kjo ishte ndeshja e dytë radhazi që Aubameyang nuk ishte pjesë e skuadrës, në një javë gjatë të cilës atij iu hoq edhe shiriti i kapitenit për shkak të mungesës së disiplinës.

Pas fitores kundër çekanëve, Arteta u pyet nga BT Sport nëse Aubameyang do të rikthehej në skuadër për ndeshjen e ardhshme të Arsenalit kundër Leeds United në fundjavë.

Trajneri i topçinjve u përgjigj: “Ai nuk ishte në këtë ndeshje dhe kjo është e tëra. Për këtë do të flasim në të ardhmen e afërt”.

Arteta e lartësoi skuadrën për lojën që e bëri ndaj rivalit londinez: “Lojtarët ishin plotësisht të përqendruar. Ata deshën të tregonin se sa të fortë jemi si ekip.”

“Pres nga secili lojtar që t’iu përmbahet vlerave tona. Do të flasim (për Aubameyang) një ditë tjetër. Sot dua të flas për ndeshjen”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online )