Kosova i mëson sot kundërshtarët në edicionin e tretë të Ligës së Kombeve

  • S.A /
  • 16 December 2021 - 11:21
Kosova i mëson sot kundërshtarët në edicionin e tretë të Ligës së Kombeve

Kosova do t’i mësojë sot kundërshtarët e vet të ri në edicionin e tretë 2022/23 të Ligës së Kombeve, në shortin që do të hidhet në Nyon të Zvicrës. Shorti i për fazën e ligës së edicionit të tretë të Ligës së Kombeve do të bëhet në orën 18:00 . Kombëtarja e Kosovës është pjesë e Ligës C – kategoria e tretë apo niveli i parafundit i futbollit në këtë garë – ku ishte promovuar pas edicionit të parë 2019/20. Verdhekaltrit kishin përfunduar në vendin e tretë, të parafundit në Grupin 3 të Ligës C edicionin e kaluar, duke i shpëtuar rënies në Ligën D për pak.

Edhe në edicionin e tretë, Kosova pritet t’i ketë përafërsisht kundërshtarët e nivelit të njëjtë si në edicionin e kaluar.

Liga C do t’i ketë katër grupe me nga katër ekipe kombëtare. Kosova është në vazon e tretë dhe ndër kundërshtarët e mundshëm të saj nga vazoja e parë do të jetë njëra mes Turqisë, Sllovakisë, Bullgarisë apo Irlandës Veriore. Nga vazoja e dytë, Kosovës shorti do t’i bjerë me njërin prej këtyre skuadrave: Greqia, Bjellorusia, Luksemburgu apo Maqedonia e Veriut.

Në vazon e katërt janë Ishujt Faroe, Gjibraltari dhe njëra mes Kazakistanit apo Moldavisë dhe Qipros apo Estonisë.

Derisa edicioni i dytë i Ligës së Kombeve ishte zhgënjyes për Kosovën, ai i pari e nxori në pah ekipin dardan në sytë e botës, pasi verdhekaltrit e udhëhequr në atë botë nga Bernard Challandes e kishin fituar Grupin 3 në Ligën D bindshëm, duke i mbledhur 14 pikë, pas katër fitoreve, dy barazimeve dhe asnjë humbjeje dhe një goldallim +13.

Kjo edhe ia kishte siguruar Kosovës promovimin në Ligën C, si njëra prej ekipeve kombëtare me paraqitjet më mbresëlënëse në edicionin inaugurues të garës së UEFA-s.

(Kosova Sot Online )