Trajneri i Napolit e quan gjigant Amir Rrahmanin

  • S.A /
  • 20 December 2021 - 10:58
Trajneri i Napolit e quan gjigant Amir Rrahmanin

Trajneri i Napolit, Luciano Spalletti, e ka quajtur madhështore paraqitjen e Amir Rrahmanit në fitoren e vuajtur kundër Milanit të dielën në San Siro. Napoli e mposhti 1:0 Milanin në përballjen e drejtpërdrejt të dy skuadrave në luftë për titull në Serie A.

Elis Elmas e shënoi golin e vetëm në San Siro për t’ia siguruar Napolit fitoren e parë pas dy humbjeve dhe një barazimi në tri ndeshjet e fundit në ligë.

“Rrahmani dhe Juan Jesus ishin dy gjigantë sonte”, tha Spalletti pas ndeshjes.

Përfaqësuesi dhe kapiteni i Kosovës Rrahmani ishte kyç në mbrojtjen e Napolit dhe i ndihmuar nga Juan Jesus u përkujdes që Davide Ospina të mos pësonte gol.

Në mungesë të Kalidou Koulibaly, mbrojtësi prishtinas ishte komandanti i mbrojtjes napolitane dhe disa ndërhyrje të tij ndaj dyshes Zlatan Ibrahimovic dhe Olivier Giroud ishin vendimtare.

“Jam i kënaqur që punuan fort si ekip, që të gjithë ishin të etur për të bërë dicka për Napolin. Lojtarët nuk kërkojnë asgjë, ata e vendosin veten në dispozicion të ekipit”, nënvizoi ai.

“Ajo që më gëzoi shumë sot ishte se ne nuk u kthyem shumë mbrapa deri në pesë minutat e fundit, ne e mbajtëm baraspeshën e duhur edhe pasi kaluam në epërsi”, shtoi Spalletti për DAZN.

Napoli kishte lëshuar pikë në katër prej pesë ndeshjeve të fundit, duke i humbur tri prej tyre, prandaj fitorja ndaj rivalit direkt për titull ishte me patjetër për skuadrën e Luciano Spallettit.

Këto tri pikët nënkuptojnë se Napoli tani e kalon Milanin në vendin e dytë në tabelën e Serie A me pikë të barabarta, 39, por ngel katër pikë mbrapa liderit dhe kampionit në fuqi Inter.

(Kosova Sot Online )