Tottenhami eliminohet nga Europa Conference League, pasi e humb në tavolinë ndeshjen ndaj Rennes

  • S.A /
  • 20 December 2021 - 11:55
Tottenhami eliminohet nga Europa Conference League, pasi e humb në tavolinë ndeshjen ndaj Rennes

Tottenhami është eliminuar nga Europa Conference League, pasi UEFA vendosi që ndeshja kundër Rennes të regjistrohet si humbje 3:0 për klubin anglez.

Ndeshja, e cila duhej të zhvillohej të enjten më 9 dhjetor, u anulua për shkak të shpërthimit të Covid-19 në klubin e Londrës.

UEFA kishte theksuar se ndeshja nuk do të riluhej dhe vendimi i kësaj të hëne nënkupton se skuadra e Antonio Contes ka humbur 3:0 në tavolinë.

Kjo disfatë nënkupton se Tottenhami e përfundoi Grupin G në vendin e tretë.

Fitorja do të nënkuptonte se Tottenhami do ta kishte kaluar Vitessen në vendin e dytë për ta arritur fazën e eliminimit direkt në garën e kategorisë së tretë të futbollit evropian.

Klubi francez kishte refuzuar shtyrjen e ndeshjes, pavarësisht se Tottenhami i kishte tetë futbollistë dhe pesë anëtarë të stafit të prekur nga koronavirusi.

Tottenhami kishte njoftuar përmes një komunikate për media se ndeshja nuk do të zhvillohej pas një numri rastesh me koronavirus në klub.

Megjithatë, protokolli i UEFA-s thekson se derisa një klub i ka 13 futbollistë në dispozicion, të paktën një portier në mesin e tyre, ndeshja duhet të zhvillohet patjetër.

Shtëpia e futbollit evropian e ka bërë tani të qartë se, sipas rregullave të saj, Tottenhami e ka humbur ndeshjen në tavolinë. 

(Kosova Sot Online )