Ancelotti shpërthen ndaj lojtarëve të Real Madridit pas disfatës kundër Getafes

  • S.A /
  • 03 January 2022 - 09:00
Ancelotti shpërthen ndaj lojtarëve të Real Madridit pas disfatës kundër Getafes

Carlo Ancelotti i ka kritikuar lojtarët e vet pas humbjes së Real Madridit 1:0 kundër Getafes të dielën, duke thënë se u duk sikur ata ishin ende në pushim. Enes Unal e shënoi golin e vetëm pas vetëm nëntë minutave lojë kur ia vodhi topin Eder Militaos brenda zonës së penalltisë së Real Madridit.

Reali i kishte disa mundësi shënimi për ta shmangur humbjen, por Luka Modric ishte më së afërmi shënimit, kur e goditi shtyllën horizontale me një goditje të fuqishme.

Skuadra e Ancelottit është lidere e La Ligës me 46 pikë, tetë më shumë se Sevilla në vendin e dytë. Por Reali i ka zhvilluar dy ndeshje më shumë se Sevilla, e cila sot takohet me Cadizin.

“Ne reaguam mirë për 10 minuta pas golit dhe pastaj u bëmë nervozë. I humbëm topat dhe betejat”, tha Ancelotti pas ndeshjes.

Kjo ishte ndeshja e parë në vitin 2022 dhe pas pushimit të Krishtlindjes për Real Madridin.

“Nuk ka shumë për t’u thënë për këtë ndeshje. Qëndruam në pushim për një ditë shtesë. Sot nuk ishim ekipi i njëjtë me atë që e mbaruam vitin. Ishim më pak të përqendruar dhe më pak të përkushtuar”, theksoi ai.

“Barazimi do të kishte qenë i drejtë, sepse nuk e merituam të humbnim, por ua dhuruam një gol dhe humbëm. U duk sikur ende ishim në pushim”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online )