Lajmi i fundit: Australia ia anulon vizën Djokovicit

  • S.A /
  • 14 January 2022 - 09:29
Lajmi i fundit: Australia ia anulon vizën Djokovicit

Australia ia ka anuluar përsëri vizën tenistit serb, Novak Djokovic, dhe synon që ta dëbojë atë nga vendi. Ankesa ligjore mbetet shpresa e vetme për të për të mos e humbur pjesëmarrjen në garë.Ministri i Migrimit, Alex Hawke, i ka shfrytëzuar kompetencat e tij personale për t’ia anuluar vizën tenistit të njohur.

Avokati i Djokovicit raportohet se po përgatitet për të paraqitur ankesë të menjëhershme për bllokimin e vendimit. Ministri Hawke tha: “Sot e ushtrova pushtetin tim sipas nenit 133C(3) të Aktit të Migrimit për ta anuluar vizën e mbajtur nga z.Novak Djokovic për arsye të shëndetit dhe rendit të mirë, mbi bazën se është në interesin e publikut që të veprohet kështu.” “Duke e marrë këtë vendim, unë i kam shqyrtuar me kujdes informatat e ofruara nga Departamenti i Punëve të Brendshme, Forca Kufitare Australiane dhe z.Djokovic”, shtoi ai. Turneu “Australian Open” fillon të hënën. Nëse tenisti nuk paraqet ankesë në gjykata ose nëse ankesa i refuzohet, ai do të dëbohet menjëherë nga Australia.

(Kosova Sot Online )