Rregullat e reja për Covid-19 mund t’ia rrezikojnë Djokovicit edhe “French Open”-in

  • S.A /
  • 29 January 2022 - 10:35
Rregullat e reja për Covid-19 mund t’ia rrezikojnë Djokovicit edhe “French Open”-in

Franca do t’i ashpërsojë rregullat e vaksinimit në një mënyrë që mund t’ia rrezikojnë pjesëmarrjen në turneun “French Open” tenistit serb, Novak Djokovic. Nga 15 shkurti, kushdo që nuk është i vaksinuar kundër koronavirusit duhet të dëshmojnë që kanë dalë pozitiv për Covid-19 brenda katër muajve të fundit – më pak se masa e tanishme prej gjashtë muajve – për të hyrë në terrene sportive në Francë, shkruan televizioni kanadez, CTV.

Ligji francez është pjesë qendrore e planit të qeverisë për ta luftuar përhapjen e virusit dhe me të synohet që personave të pavaksinuar t’u ndalohet qasja në stadiume, restorante, kafene dhe hapësira të tjera publike.

Tenisti i pavaksinuar serb ka thënë se ka dalë pozitiv për Covid-19 në mesin e dhjetorit. Sipas rregullave të tanishme për periudhën 6-mujore, ai do të mund të luante në “French Open”, që fillon më 22 maj.

Por nëse rregullat e reja mbeten në fuqi deri më këtë datë, ka gjasë që ato ta përjashtojnë Djokovicin nga turneu, nëse ai nuk vaksinohet ose nëse nuk del përsëri pozitiv në testim brenda katër muajve para fillimit të garës.

Ndryshe, Djokovici është kampion në fuqi në “French Open”. Këtë muaj, atij iu ndalua pjesëmarrja në “Australian Open” dhe u dëbua nga Australia për shkak të rregullave të rrepta të këtij vendi për vaksinim kundër Covid-19.

(Kosova Sot Online )