Tenisti boshnjak i reagon Nadalit: Gjithkush e fiton titullin kur Djokovici s’është aty

  • E.K /
  • 02 February 2022 - 14:01
Tenisti boshnjak i reagon Nadalit: Gjithkush e fiton titullin kur Djokovici s’është aty

Tenisti kontrovers nga Bosnja Damir Dzumhur, i cili një herë e kishte kërcënuar me vrasje gjyqtarin, është munduar ta zhvlerësojë triumfin historik të Rafael Nadalit në Australian Open 2022, duke thënë se ai fitoi falë dëbimit të Novak Djokovicit nga Australia.

Nadal, numër 6 në botë, u rikthye nga 0:2 në sete për të fituar 3:2, 2-6 6-7 (5-7) 6-4 6-4 7-5, në mënyrën më epike të mundshme kundër numrit dy të botës nga Rusia Daniil Medvedev, të dielën në Melbourne.

Ishte një triumf historik për tenistin spanjoll, i cili vetëm para pak muajve nuk e dinte nëse do të ishte në gjendje të luante tenis më, për shkak të një lëndimi serioz në këmbë.

Triumfi i në Australian Open 2022 nënkupton se Nadali tani ka më shumë tituj grand slam se Federeri dhe se Novak Djokovic, të cilat i kanë nga 20 secili.

Derisa Federeri mungoi në këtë turne shkaku i lëndimit, Djokovici nuk u lejua të merrte pjesë pasi u dëbua nga Australia për shkak se nuk është i vaksinuar kundër Covid-19.

Në kohën kur e gjithë bota e tenisit e uroi 36-vjeçarin për triumfin historik, përfshirë vetë Djokovicin, Dzumhur tentoi ta bëjë sa më të pavlerë këtë me komentin e tij.

“Gjithkush mund ta fitojë një grand slam kur Novaku nuk garon aty. Djokovici është ende GOAT (më i miri në histori)”, shkroi 29-vjeçari nga Bosnja, i cili është mik i ngushtë i serbit.

Dzumhur, i 152-ti në botën e tenisit, më vonë e fshiu komentin nga rrjetet sociale.

Vitin e kaluar, tenisti boshnjak – i cili kurrë nuk ka shkuar më larg se rrethi i tretë i një turneu grand slam – e kërcënoi me vrasje gjyqtarin gjatë një meçi kundër holandezit Van de Zandschulp në turneun Acapulco Open 500 në Spanjë.

Si pasojë, ai u diskualifikua nga turneu. 

(Kosova Sot Online)