Xavi: Duhej të kishim shënuar më shumë gola

  • S.A /
  • 18 February 2022 - 09:23
Xavi: Duhej të kishim shënuar më shumë gola

Xavi këmbëngul se Barcelona e dominoi ndeshjen ndaj Napolit, ai pajtohet me penalltinë dhe beson se ata duhet të kishin fituar me më shumë se dy gola epërsi. Piotr Zielinski kishte hapur rezultatin për mysafirët në Camp Nou në ndeshjen e parë të play-offit të Ligës së Evropës. Megjithatë, vendasit e barazuan rezultatin pas një 11-metërshi. “Gjithçka që na mungonte ishte konkretizimi”, tha trajneri në konferencën e tij për shtyp.

“Ne e lëvizëm topin mirë dhe patëm 20 raste shënimi, shtatë prej tyre shumë të mira. Duke marrë parasysh mënyrën se si luajtëm, e merituam fitoren, madje me më shumë se dy gola. Ne jemi në Europa League, nuk është miqësore, kështu që rezultati është i pamjaftueshëm, por jam i kënaqur me paraqitjen. Është për të ardhur keq që nuk e transformuam dominimin tonë në më shumë gola. Djemtë luajtën një stil të rrjedhshëm futbolli, ne sulmuam deri në fund dhe u përpoqëm në çdo mënyrë për të shënuar”, u shpreh Xavi.

Ferran Torres e shndërroi goditjen nga penalltia, por humbi edhe shumë raste për të shënuar nga loja e hapur.

“Jam shumë i lumtur që ai po luan për Barcelonën dhe shpresoj se do të jetë këtu për një kohë të gjatë. Duhet të kemi besim, jam i sigurt se do të shënojë shumë gola. Fanella e Barcelonës peshon më shumë se të tjerat, por ai duhet ta dijë se ka besimin tonë absolut”, deklaroi ai. Rregulli i golave ​​si mysafir nuk zbatohet më në Evropë këtë sezon, kështu që rezultati 1-1 në shtëpi nuk është aq i keq për Barcelonën sa do të kishte qenë sezonin e kaluar. “Është për të ardhur keq që nuk do të shkojmë në Napoli me të paktën një gol avantazh, por ndjesitë janë shumë pozitive. Nëse vazhdojmë kështu, do të fitojmë shumë ndeshje”, përfundoi trajneri spanjoll.

(Kosova Sot Online )