E kaluara e Giresse me Kosovën, ku po pritet të emërohet trajner i ekipit kombëtar

  • S.A /
  • 22 February 2022 - 12:06
E kaluara e Giresse me Kosovën, ku po pritet të emërohet trajner i ekipit kombëtar

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) thuhet se tashmë është përcaktuar për trajnerin e ri. Sipas informatave të fundit që po qarkullojnë, sot eventualisht nesër, shtëpia e futbollit pritet ta zyrtarizojë përzgjedhësin e ri të Kombëtares së Kosovës në futboll. E ai do të jetë Alain Giresse. E kaluara e Giresse me Fadil Vokrrin dhe Kosovën. Alain Giresse është një ish futbollist i famshëm francez, i respektuar në botën e futbollit.

Andaj, ish kryetari i FFK-së, i ndjeri Fadil Vokrri, para shumë vitesh kishte krijuar miqësi me ish yllin francez, pasi besonte se Giresse mund të ndikonte pozitivisht në shtyrjen përpara të procesit të anëtarësimit të Kosovës në UEFA, e cila në aso kohe udhëhiqej nga një tjetër francez, Michel Platini. Giresse dhe Platini ishin bashkëlojtarë te Franca dhe konsiderohen si pjesë e “mesfushës së artë” të kombëtares franceze.

Dy vjet para anëtarësimit të Kosovës në UEFA, FFK-ja e udhëhequr nga i ndjeri Vokrri, ishte në vlug të përpjekjeve të ndërkombëtarizimit. Pikërisht në atë kohë Giresse kishte ardhur në Prishtinë.

Vizita e tij në Kosovë kishte ndodhur në janar të vitit 2014. Vokrri e kishte ftuar për të marrë pjesë në ceremoninë e shpalljes së laureatëve të vitit. Madje, Giresse ishte pritur edhe në Ministrinë e Sportit nga ish ministri Memli Krasniqi i cili bashkë me Vokrrin ia kishin shpjeguar problemet në procesin e ndërkombëtarizimit të futbollit kosovar, kurse francezi kishte premtuar përkrahje të tij dhe ishte optimist se ndërkombëtarizimi do të ndodh shpejt. Nuk vonoi shumë dhe Giresse i kishte dhënë efektet e para të miqësimit me Kosovën.

Pasi FIFA e kishte lejuar Kosovën të zhvillojë miqësore në vitin 2014, “Dardanët” i kishin zhvilluar fillimisht dy miqësore në Mitrovicë me Haitin dhe Turqinë. Ndërsa, ndeshjen e tretë e kishin zhvilluar në Zvicër kundër Senegalit, ku selektor ishte pikërisht Giresse, dhe thuhej se francezi kishte ndërmjetësuar në mes dy federatave për realizimin e asaj miqësoreje. Ndeshjen e kishte fituar Senegali i Giresse me rezultat 3:1 ndaj Kosovës, e cila tani po e pret francezin ta marrë drejtimin e saj.

Alain Jean Giresse është një emër i njohur në futbollin francez, por edhe në atë evropian në përgjithësi.

I lindur në Langoiran, me 2 gusht 1952, ai e kishte një karrierë mjaft të suksesshme si futbollist, me ç’rast ish-mesfushori ofanziv/mesfushori qendror ishte shpallur futbollisti më i mirë i vitit në Francë në vitet 1982, 1983 e 1987.

Pjesën më të madhe të karrierës, respektivisht 16 vjet (1970-1986) i kishte kaluar në ekipin Bordeaux, ku i kishte zhvilluar mbi 500 ndeshje.

Më pas, për dy vjet kishte luajtur në Masrseille (1986-1988), kur edhe e kishte mbyllur karrierën si lojtar aktiv. Gjithashtu, ishte edhe pjesë e Kombëtares së Francës, me të cilën i kishte 47 paraqitje në 12 vjet eksperiencë (1974-1986).

Ai ishte një lojtar inteligjent dhe këtë dhunti është munduar ta zhvendos edhe në zejen e trajnerit.

Giresse e pati një karrierë të bujshme edhe si trajner ose selektor.

Ai ishte trajner i Paris Saint-Germainit (1998), ndërsa pati eksperienca edhe në krye të shtabit teknik të Toulouse (1995) e FAR Rabat (2001-2003).

Por, 69 vjeçari ishte më i fokusuar tek ekipet kombëtare, pasi i ka udhëhequr disa sosh.

“Express” shkruan se Giresse ishte dy herë selektor i Malit në periudha të ndryshme (2010-2012 e 2015-2017), ndërsa i ka drejtuar edhe Kombëtaret si Gjeorgjia (2004-2005), Gaboni (2006-2010), Senegali (2013-2015) e Tunizia (2018-2019).

Nga viti 2019 nuk e ka ushtruar zejen e trajnerit, ndërsa Kosova mund të jetë një pikë e re nisjeje për trajnerin francez.

Drejtuesit e FFK-së janë takuar me shumë trajnerë në muajt e fundit, ndërsa duket se tash janë përqendruar tek Giresse, i cili pritet të jetë pasardhës i zviceranit Bernard Challandes.

(Kosova Sot Online )