Lewandowski për ndeshjen me Rusinë: Nuk mund ta imagjinoj të luaj kundër agresorit

  • S.A /
  • 26 February 2022 - 11:02
Lewandowski për ndeshjen me Rusinë: Nuk mund ta imagjinoj të luaj kundër agresorit

Robert Lewandowski e ka përkrahur vendimin e Federatës Polake të Futbollit për të mos e zhvilluar ndeshjen me Rusinë, e vlefshme për play-offin e Botërorit 2022. Polakët njoftuan zyrtarisht sot se nuk do ta zhvillojnë ndeshjen e 24 marsit në Moskë pas sulmit ushtarak që e bëri Rusia ndaj Ukrainës. Edhe vetë kapiteni i Polonisë thotë se nuk do të ishte i gatshëm të luajë kundër rusëve në një moment aq delikat.

“Është vendimi i duhur. Nuk mund ta imagjinoj të luaj kundër Kombëtares së Rusisë në situatën kur agresioni i armatosur në Ukrainë vazhdon. Futbollistët dhe tifozët rusë nuk janë përgjegjës për këtë, por ne nuk mund të pretendojmë se nuk po ndodh asgjë”, ka shkruar futbollisti i Bayern Munichut. Presidenti i Federatës Polake të Futbollit, Cezary Kulesza ka thënë se polakët do të flasin edhe me Kombëtaret tjera, për të dalë më pas me një qëndrim të përbashkët.

(Kosova Sot Online )