Abramovich e ndryshoi botën e futbollit, i shpenzoi 2 miliardë euro për 19 vjet

  • S.A /
  • 03 March 2022 - 09:16
Abramovich e ndryshoi botën e futbollit, i shpenzoi 2 miliardë euro për 19 vjet

Roman Abramovich do ta shesë përfundimisht Chelsean gjatë kësaj jave pas 19 vjetësh pronësie. Miliarderi rus po i jep kështu fund ciklit më fitues në histori të futbollit modern. Manjati rus e kishte blerë klubin në vitin 2003, në epokën e mbuluar me borxhe, por që e bëri më pas njërin prej klubeve më të rëndësishme në botë. 2 miliardë e 340 milionë euro, është shifra e shpenzuar për gati dy dekada nga ana e tij në klubin nga Premierliga. Një shpenzim faraonik, i cili kishte nisur me blerjen e Glen Johnson në verën e vitit 2003 nga West Ham United e deri tek huazimi i Saul Niguez, që ishte transferimi i fundit në formë huazimi në ditën e fundit të afatit kalimtar të verës. 

Ai e ka ndërruar në mënyrë magjike botën e futbollit. Nëse në Itali këtë e ka bërë Silvio Berlusconi me Milanin, në Angli pa dyshim që pronari më i suksesshëm është Abramovich.Ai e kishte blerë klubin nga Ken Bates, në kohën kur pronësia e klubeve angleze nga të huajt ishte e rrallë. Sot për sot, vetëm Norëichi, Tottenhami e West Hami janë në pronësi me shumicë të aksioneve nga ana e britanikëve. Edhe Championshipi anglez është më shumë ndërkombëtar sesa britanik. Me Abramovichin kanë nisur edhe çmimet stratosferike të lojtarëve.

Kur e kishte marrë Chelsean në dorë, klubi nga “Stamford Bridge” ishte mesatar, pa pasur suksese të theksuara kombëtare dhe ndërkombëtare. Por, nga ajo kohë ka fituar gjithçka, si në Angli, ashtu edhe në Evropë. Bile, për momentin Chelsea është kampion evropian dhe botëror. Abramovich do të mbahet në mend gjatë në botën e futbollit, pa marrë parasysh historinë e tij jashtë saj.

(Kosova Sot Online )