Ia sekuestruan jahtin super-luksoz 600 milionësh, kjo është lidhja e miliarderit rus me Premierligën angleze

  • S.A /
  • 03 March 2022 - 09:37
Ia sekuestruan jahtin super-luksoz 600 milionësh, kjo është lidhja e miliarderit rus me Premierligën angleze

Autoritetet gjermane ia sekuestruan së fundmi jahtin superluksoz, në vlerë prej 600 milionë eurosh, miliarderit rus, Alisher Usmanov. Ai konsiderohet si njëri prej oligarkëve rusë, të cilët po ndëshkohen nga autoritetet ndërkombëtare. Usmanov njihet si bashkëpunëtor i presidentit rus, Vladimir Putin, i cili javën e kaluar e nisi luftën në Ukrainë. Dhe, 68 vjeçari e pësoi goditjen e parë kur në Gjermani iu mor jahti super-luksoz, si pjesë e sanksioneve ndaj Rusisë, e cila po mundohet ta pushtojë Ukrainën. Krahas bizneseve të tij, Usmanov ka lidhje edhe me futbollin. Në vitin 2007 ishte bërë pjesë e Arsenalit, ku i kishte blerë 17 për qind të aksioneve.

E aktualisht dhe që nga viti 2019, 68 vjeçari është i përfshirë tek Evertoni pasi kompania e tij e sponsorizon qendrën stërvitore të “Toffees”, ndërsa pronari i klubit, Farhad Moshiri është po ashtu president i kompanisë së tij, USM Holdings. E në klubin e femrave të Evertonit, MegaFon, po ashtu në pronësi të tij, nga viti 2020 Usmanov është sponsori kryesor. Gjithashtu, njëra nga kompanitë e tij, Metalloinvest, në shkurt të vitit 2008 ishte bërë sponsor i Dinamo Moscoë, klubit rus të futbollit. Ai ishte edhe pjesë e Këshillit të Olimpiadës dhe Paraolimpiadës Dimërore “Sochi 2014”. Ai është pjesë e Bordit të Trustit në Fondin Mbështetës të sportistëve olimpikë rusë. Do të jetë interesante ta shohim se çka do të ndodhë me Usmanov dhe se a e do të ndihet kjo goditje edhe tek Evertoni në të ardhmen e afërt. Chelsea ndërkohë i ndjeu menjëherë pasojat e sanksionit ndaj Rusisë, pasi pronari Roman Abramovich po detyrohet ta shesë klubin sa më shpejt të jetë e mundur. 

(Kosova Sot Online )