Abramovich e kishte refuzuar ofertën e majme për shitjen e klubit më 2019, tash do ta shesë më lirë

  • S.A /
  • 03 March 2022 - 13:34
Abramovich e kishte refuzuar ofertën e majme për shitjen e klubit më 2019, tash do ta shesë më lirë

Roman Abramovich ka pasur gjithmonë oferta për ta shitur Chelsean. Por, miliarderi rus vendosi ta shesë klubin anglez vetëm tash. Mediat britanike janë rikthyer tri vjet pas, më 2019, kur Abramovich e kishte marrë një ofertë zyrtare nga një biznesmen amerikan për t’ia shitur klubin. Në atë kohë, manjati rus mund ta shiste klubin nga “Stamford Bridge” për 2,6 miliardë euro. Mirëpo, ai e kishte refuzuar ofertën e Todd Boehly, një investitor miliarder dhe pjesë e pronësisë së LA Dodgers. Sidoqoftë, tash Abramovich raportohet se do ta pranojë ofertën prej 2,2 miliardë eurosh. 

Pra, ai i ka humbur disa qindra miliona euro në këtë rast. Abramovich vendosi ta shesë klubin pasi u përfshi në listën e të akuzuarve për lidhje të ngushtë me presidentin rus, Vladimir Putin, i cili e sulmoi ushtarakisht Ukrainën. Gjithashtu, miliarderit rus, i cili ka edhe pasaportë izraelite, iu mohua përgjithmonë hyrja dhe jetesa në Britaninë e Madhe. Ai planifikon t’i shesë sa më shpejt edhe të gjitha pronat që i ka në këtë shtet. 

(Kosova Sot Online )