Trajneri portugez kujton tmerrin e Ukrainës: Ishte një makth, 30 orë pa u ndalur

  • S.A /
  • 09 March 2022 - 10:28
Trajneri portugez kujton tmerrin e Ukrainës: Ishte një makth, 30 orë pa u ndalur

Paulo Fonseca i ka kujtuar momentet e tmerrshme nëpër të cilët ka kaluar derisa po mundohej të largohej nga Ukraina, ku kishte nisur lufta.

Ish-trajneri i Romës e ka dhënë një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, përmes së cilës ka treguar se sa e vështirë dhe e gjatë ishte rruga nga Kievi për në Poloni. “Një makth i vërtetë. Ishte 24 shkurti dhe do të duhej të nisesha në orën 10 për në Portugali me familjen. Por, në orën 4.30 i kemi dëgjuar të binin bombat e para. Jemi shokuar. Shoku im, Srna (drejtues i Shakhtarit) më ka ftuar të shkoja në hotelin Opera, ku ishte skuadra. Jemi vendosur në një bunker. Ishte edhe trajneri De Zerbi, ishin edhe futbollistët brazilianë me familjet e tyre. Fëmijët flinin në dysheme, në thasë gjumi”, kujton trajneri portugez.

“Kishim frikë. Më pas, ambasada portugeze e organizoi evakuimin, ishim tri familje që shkuam drejt Moldavisë. Ishte një udhëtim i tmerrshëm. 30 orë pa u ndalur, në kolonë prej 5 kilometrash, me aeroplanët që kalonin mbi kokën tonë. Kishte postblloqe, ndërsa njerëzit përreth nuk gjeniin karburant e as ushqim. Vetëm kur kam arritur në kufirin me Rumaninë, kam nisur të relaksohem, nëse mund ta them ashtu. Gruaja ime qan vazhdimisht sepse kemi lënë miq dhe dashamirës në krejt Ukrainën”, vazhdoi ai.

“Tash, përmes Federatës së Futbollit të Portugalisë jam bërë ambasador për paqe dhe po punojmë që të gjejmë strehim punë dhe shkolla për refugjatët. Një ndihmë e vogël, natyrisht, për dy milionë refugjatë sa janë bërë deri tash”, përfundoi Fonseca me emocione të përziera, i gëzuar që i shpëtoi luftës, por me pasoja nga ajo çka pa dhe i brengosur për miqtë që kanë mbetur në vatrat e luftës. 

(Kosova Sot Online )