Gramoz Vokrri dorëzon kandidaturën për kryetar të FFK-së, beson në fitore

  • E.K /
  • 16 March 2022 - 12:11
Gramoz Vokrri dorëzon kandidaturën për kryetar të FFK-së, beson në fitore

Gramoz Vokrri e ka shpallë edhe zyrtarisht kandidaturën e tij për kryetar të Federatës së Futbollit të Kosovës.

I biri i legjendës, Fadil Vokrri para pak minutash i ka dorëzuar edhe zyrtarisht 16 nënshkrimet që i ka siguruar për ta kërkuar një mandat katërvjeçar në krye të futbollit kosovar, një ditë pa përfunduar afati i paraparë.

Ai do të mundohet ta vazhdojë rrugën e nisur nga babai i tij i ndjerë, ndërsa për kundërkandidat do ta ketë kryetarin aktual të FFK-së, Agim Ademi.

“E kemi një mbështetje goxha të madhe. Arsyeja se pse po kandidoj ka qenë mbështetja e klubeve, të cilat nuk janë të kënaqura me zhvillimet brenda institucioneve. Po kërkohet një frymë të re, që ta shtyjmë futbollin përpara”, deklaroi fillimisht Vokrri junior para gazetarëve.

“Në futboll nuk hyn askush për të humb, shpresoj që gara të jetë korrekte dhe fer. Shpresoj që në fund të gjithë mund t’ia dalim”, shtoi ai.

Ai ndër të tjera e ka konsideruar këtë Kuvend Zgjedhor si ta jashtëligjshëm.

Sidoqoftë, ai i ka siguruar nënshkrimet e nevojshme.

“Mendoj se Kuvendi Zgjedhor i 6 prillit është i jashtëligjshëm. Nga ana tjetër, na kanë thënë t’i sjellim 15 nënshkrime dhe ne e bëmë. Kështu që, ne jemi të gatshëm për secilin variant. I sollëm 16, duke lënë hapësirë edhe për një kandidat të tretë”, u shpreh Vokrri.

Ai insiston se është i vetëm në këtë kandidim, ndërsa e ka qëllimin e përbashkët që me rininë dhe krejt kontribuuesit, ta shtyjë futbollin përpara.

Ai insiston se është i vetëm në këtë kandidim, ndërsa e ka qëllimin e përbashkët që me rininë dhe krejt kontribuuesit, ta shtyjë futbollin përpara.

Vokrri tutje shtoi se kryesia aktuale e FFK-së është mburrur me sistemin VAR, por që shtoi se në stadiumet e Kosovës nuk ka gjëra elementare siç është WC.

“Më së shumti po flitet për skandale. Por, nuk kisha dashur të futem më thellë. Jemi të interesuar ta nisim një frymë të re, që t’ju japim të rinjve mundësi”, përfundoi Gramoz Vokrri.

Kuvendi i kontestuar Zgjedhor i FFK-së do të mbahet më 6 prill. 

(Kosova Sot Online)