Simeone paguhet më shumë sesa Mbappe dhe yjet e tjerë të futbollit

  • S.A /
  • 23 March 2022 - 10:59
Simeone paguhet më shumë sesa Mbappe dhe yjet e tjerë të futbollit

Rroga e Diego Simeones është bërë temë në botën e futbollit. Në fakt, trajneri argjentinas po e udhëheq tash e sa vite me sukses Atletico Madridin. Me klubin spanjoll e ka fituar dy herë titullin e kampionit në La Liga dhe ka shkuar edhe në finale të Ligës së Kampionëve. Pra, ai është bërë njeri mjaft i rëndësishëm tek “Los Colchoneros”. E këto arritje ia kanë mundësuar atij të përfitojë edhe shumë para. Madje, rroga e tij është aq e madhe sa që i kalon edhe rrogat e Kylian Mbappes dhe të yjeve të tjerë të futbollit botëror.

Në fakt, besohet se Simeone paguhet 3,33 milionë euro në muaj. Kjo nuk është ndoshta rroga më e madhe e një trajneri në botë, por gjithsesi është më e lartë se e shumë prej yjeve të futbollit botëror. Sipas “France Football”, ylli i PSG-së, Kylian Mbappe dhe ylli i Manchester United, Cristiano Ronaldo paguhen nga 2,63 milionë euro në muaj, kurse Kevin de Bruyne në Manchester City e ka rrogën mujore 2 milionë euro. Simeone është njëri prej trajnerëve më të mirë dhe më të paguar në botë. Dhe, ai i merr gjithë këto para në një klub që s’është i pasur kushedi sa. Madje, thuhet se Atletico Madridi qe një kohë të gjatë funksionon me borxhe të mëdha.

(Kosova Sot Online )