Zvicër – Kosovë, përballje vëllazërore dhe festë, por edhe dëshirë për fitore

  • S.A /
  • 29 March 2022 - 10:02
Zvicër – Kosovë, përballje vëllazërore dhe festë, por edhe dëshirë për fitore

E kishim pritur qe një kohë të gjatë të gjithë, dhe tashmë erdhi dita.

Zvicra dhe Kosova do ta zhvillojnë sonte atë që po quhet nga të gjithë si një përballje vëllazërore.

“Helvetikët” dhe “Dardanët” do të zbresin në fushë për ta zhvilluar një ndeshje miqësore, të parën ndonjëherë në mes vete.

Verdhekaltrit vijnë nga fitorja e thellë në miqësoren ndaj Burkina Fasos, 5:0, kurse ekipi Bardh e Kuq nga humbja nga Anglia, 1:2. Kjo pa dyshim do të jetë një ndeshje emocionuese pasi disa lojtarë luajnë kundër vendit të origjinës.

Më emocionuese do të jetë posaçërisht për Granit Xhakën e Xherdan Shaqirit.

Ata e kanë pranuar se kjo është një ndeshje speciale, të cilën dëshirojnë ta shijojnë në çdo minutë të saj.

Megjithatë, në aspektin profesional ata dëshirojnë të fitojnë, njëjtë siç synojnë në çdo ndeshje me Zvicrën.

Edhe trajneri Murat Yakin ka kërkuar nga lojtarët shqiptarë si Shaqiri, Xhaka e Zeqiri që të dinë t’i menaxhojnë emocionet në këtë ndeshje aspak të zakontë për ta.

Nga ana tjetër, edhe tek Kosova janë disa lojtarë që do ta përjetojnë ndryshe këtë lojë pasi janë lindur e rritur në Zvicër, por që kanë zgjedhur ta përfaqësojnë vendin e prindërve të tyre.

“Dardanët” kanë zbarkuar dje në tokën zvicerane, ku e kanë zhvilluar një seancë stërvitore dhe më pas trajneri Alain Giresse e mbajti konferencën për shtyp.

Kosova ka respekt për Zvicrën, por Vedat Muriqi me shokë do të mundohen ta nxjerrin një rezultat pozitiv sonte.

Lojtarët e Kosovës pritet ta kenë një mbështetje të madhe nga tifozët në tribuna pasi stadiumi pritet të jetë i mbushur, mbi të gjitha me tifozë shqiptarë.

Prezentë do të jenë edhe “Dardanët”, të cilët nuk e lënë Kombëtaren kurrë vetëm.

Kjo është një ndeshje miqësore ku rezultati nuk është gjithsesi në plan të parë.

Kjo po konsiderohet edhe si një festë në të dyja vendet, duke e pasur parasysh lidhjen e ngushtë në mes tyre.

Ndeshja ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës do të fillojë në orën 18:00. 

(Kosova Sot Online )