Nga “Messi i Kosovës” në Milan Junior Camp, ku i mahniti të gjithë: Historia e Edon Zhegrovës

  • S.A /
  • 11 April 2022 - 13:40
Nga “Messi i Kosovës” në Milan Junior Camp, ku i mahniti të gjithë: Historia e Edon Zhegrovës

Që kur ishte i vogël e quanin “Mesi i Kosovës”, ndërsa si 12 vjeçar ishte zgjedhur prej më të mirëve në Milan Junior Camp në Prishtinë. Sot është duke u ngritur dalëngadalë dhe këtë po e bën në Lille. Njihuni me historinë e Edon Zhegrovës. Edon Zhegrova e realizoi dje njërin prej golave më të bukur të javës në Francë. Një “fintë” me trup nga e djathta për të përfunduar më në thellësi dhe me një të majtë të frikshme e gjen rajektoren për të përfunduar topi në mes të dy shtyllave. Një gol “Alla Robben”.Dhe, kjo nuk është hera e parë që shënon kështu në karrierën e tij. Zhegrova është një talent i futbollit, i lindur në vitin 1999 dhe nga ai pritet shumë, shkruan gazetari sportiv Gianluca Di Marzio në uebfaqen e tij. “Kur ishte fëmijë e kishte bërë të çmendej krejt Kosova (vendi ku u rrit) dhe gazetarët lokalë e quanin ‘Messi ynë’”, shkruan gazetari i njohur italian.

Historia e Zhegroves:

Zhegrova ishte lindur më 31 mars 1999 në Herford (Gjermani), ku prindërit kishin shkuar për t’ju shmangur luftës në Ballkan. Zhegrova, sot 23 vjeç ka mundur të luante për katër Kombëtare: për Gjermaninë, vendin ku u lind, Shqipërinë, prej nga e kanë prejardhjen prindërit, Belgjikën, ku kishte shkuar si 15 vjeçar dhe për Kosovën, vendin të cilin ka zgjedhur që ta përfaqësojë. Ishte një zgjedhje e zemrës. Që kur ishte i vogël ishte vërejtur që ishte njëri prej talentëve më të mëdhenj të vendit. Krahasimet nuk ndaleshin, por në fushë bënte gjëra që s’mund t’i bënin moshatarët e tij. Prekja e topit, driblimet shkatërruese, gjakftohtësia në zgjedhjet që bënte, kapaciteti i gjuajtjeve, e mbi të gjitha altruizmi, gjë jo e vogël për një djalosh 12 vjeçar, që e kishte më shumë se të tjerët. Në Youtube ka ende video të lëvizjeve të tij kur e vishte fanellën kuqezi të Flamurtarit, një klub profesionist në Prishtinë, në kryeqytetin kosovar, vazhdon shkrimi. Ai “Milan Junior Camp” ku i mahniti të gjithë. Nga një fanellë kuqezi në tjetrën. Verë 2012. Milani e kishte organizuar një Milan Junior Camp pikërisht në Prishtinë. Një mundësi për ta zgjeruar brendin, për t’i zbavitur fëmijët dhe pse jo, për të zbuluar talente në atë zonë. Edon Zhegrova ishte aty. Dhe, ishte mbi të tjerët. Madje, ishte zgjedhur lojtari më i mirë i javës dhe ishte ftuar në një miqësore në San Siro së bashku me djelmoshat tjerë të zgjedhur. Një emocion unik që e gëzon falë talentit të tij. Klubi “Rossoner” megjithatë nuk e kishte angazhuar. Zhegrova më pas shkoi në Belgjikë dhe aty nisi të luante si profesionist. Standard Liege, Sint-Truiden dhe më pas Genk, i ndjekur nga klubi zviceran Basel. E sot, ai është pjesë e Lillet në Francë. Dhe, bëni kujdes. Është e vërtet që “një Messi” në Lille (sot në vendin e shtatë në Ligue 1) është i pavend. Por, mos ta harrojmë se prej aty kanë dalë disa talentë të mëdhenj që sot vlejnë shumë dhe që e kanë zgjuar interesimin e shumë klubeve të mëdha si Nicolas Pepé, Osimhen, Jonathan David, Leao, Botman, Maignan, Renato Sanches. E më pas, Milani, nga ajo kohë një sy e mban pikërisht tek Zhegrova. San Siro nuk harron: kushedi, ndoshta në të ardhmen Zhegrova mund ta ketë rastin e dytë… Por, përfaqësuesi kosovar edhe Barcelonën e ka ëndërr.

(Kosova Sot Online )