Katër skuadra e kërkojnë finalen e madhe të Kupës së Kosovës sot

  • S.A /
  • 13 April 2022 - 11:44
Katër skuadra e kërkojnë finalen e madhe të Kupës së Kosovës sot

Prishtinasit e fituan duelin e parë gjysmëfinal 2:1 dhe në stadiumin “Zahir Pajaziti” do ta kërkojnë kualifikimin në finale. Nga ana tjetër, llapjanët do ta kërkojnë përmbysjen e madhe në shtëpi. Në duelin tjetër, Drita është me një këmbë në finale. Llapi dhe Prishtina do ta zhvillojnë sot njërën prej ndeshjeve më të rëndësishme të sezonit. Dy skuadrat bardhekaltër do të përballen në mes vete në stadiumin “Zahir Pajaziti”, në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale të Kupës së Kosovës. Duelin e parë e fituan prishtinasit javën e kaluar me rezultat 2:1 në “Fadil Vokrri”.E tash, kryeqytetasit do të shkojnë në Podujevë për ta ruajtur këtë kapital dhe për ta prekur finalen e madhe të Kupës. Nga ana tjetër, trupa e Tahir Batatinës e ka mision përmbysjen e rezultatit dhe pjesëmarrjen në finale për herë të dytë radhazi.

Llapjanët madje synojnë ta fitojnë prapë kupën dhe të dalin në Evropë përmes saj, njëjtë si vitin e kaluar. Këtë objektiv e kanë edhe prishtinasit, duke e pasur parasysh se në ligë kanë mbetur shumë prapa. Në sfidën tjetër të kësaj faze, Drita e sheh veten me një këmbë në finale. Gjilanasit e fituan lojën e parë me Ramiz Sadikun 3:0. Andaj, “Intelektualët” do të vijnë në kryeqytet më të relaksuar dhe për ta prerë biletën për në finale. “Ndërtimtarët” do ta kërkojnë mrekullinë, por e kanë të vështirë ta shkrijnë disavantazhin e thellë. Të dyja ndeshjet gjysmëfinale do të luhen sot duke filluar nga ora 14:00.

(Kosova Sot Online )