Simeone është krenar me ekipin, sqaron gjithçka për Guardiolën

  • S.A /
  • 14 April 2022 - 09:18
Simeone është krenar me ekipin, sqaron gjithçka për Guardiolën

Diego Pablo Simeone ndihet krenar me ekipin e tij përkundër eliminimit nga Liga e Kampionëve.

Atletico Madridi barazoi pa gola në shtëpi me Manchester Cityn në ndeshjen e kthimit çerekfinale, ndërsa e kishte humbur lojën e parë në Angli, 0:1.

Sidoqoftë, trajneri argjentinas i ka përgëzuar lojtarët për lojën që e bënë dhe e ka falënderuar publikun për mbështetjen e jashtëzakonshme që ia dha ekipit në stadiumin “Wanda Metropolitano”.

“Kjo ndeshje shërben për nderin dhe krenarinë tonë, për krenarinë e njerëzve tanë që e kanë parë një skuadër luftëtare. Dhe, na jep qetësi duke e pasur parasysh se skuadra dha gjithçka për ta kaluar këtë fazë”, deklaroi fillimisht Simeone.

“Publiku ishte fantastik gjatë tërë ndeshjes dhe skuadra është përgjigjur mirë, duke u munduar ta bëjë atë që është e vështirë të shihet nëpër stadiume. Sa i përket kartonit të kuq të Felipers, nuk e kam kuptuar se çka ka ndodhur, isha shumë larg, por gjyqtari më tha se e ka shqelmuar një lojtar të tyre, unë nuk e kam parë”, nënvizoi ai.

“Sa i përket humbjes së kohës, nuk ka çka të flitet shumë, është gjyqtari ai që i menaxhon këto situata. I bëj komplimente Cityt për lojën e madhe që e zhvilloi dhe e përgënjeshtroj faktin se i kam duartrokitur Guardiolës për faktin se skuadra e tij ishte duke humbur kohë. E bëra sepse i vlerësova përpjekjet që ata po i bënin në fushë. Ndihemi keq që dolëm kështu, por jam krenar për atë që jemi dhe se si kemi luajtur”, përfundoi Simeone. 

(Kosova Sot Online )