Dorëzohet Xavi

  • S.A /
  • 19 April 2022 - 08:57
Dorëzohet Xavi

Barcelona e pësoi një humbje shokuese në shtëpi nga Cadizi, për të cilin mbrëë ishte një natë historike pasi fitoi për herë të parë në histori të tij në “Camp Nou”. Ndërkohë, “Blaugrana” u mposhtën përsëri në shtëpi të tyre pas humbjes që e kishin pësuar nga Eintracht Frankfurti në Europa League. Goli i Lucas Perez iu dha fund 15 ndeshjeve radhazi pa humbje të skuadrës së Xavi Hernandezit.

Trajneri spanjoll ka folur për këtë ndeshje, ndërsa e pranoi se gara për titull të kampionit në La Liga është mbyllur tashmë.

“Topi sot nuk hyri dhe nuk dëshironte të hynte në portë. Kemi krijuar shumë raste, por Cadizi ishte i organizuar mjaft mirë prapa. Shihet se trajneri i tyre, Sergio, ka punuar mjaft mirë. Nuk i konkretizuam rastet. Më pas, pasi shënuan, ata e ngadalësuan lojën. Kjo që u mbyll ishte një javë negative për ne. Duhet ta ndryshojmë qëndrimin sa më shpejt të jetë e mundur sepse në të kundërtën do ta komplikojmë një sezon të mirë. Po bëjmë gabime banale dhe në këtë ndeshje as s’kemi sulmuar e as s’jemi mbrojtur mirë. Edhe portieri i tyre e bëri një paraqitje të madhe”, deklaroi legjenda spanjolle.

“Jemi të mllefosur. E humbëm një mundësi të artë për t’u shkëputur nga skuadrat tjera. Me këtë rezultat po ashtu jemi përshëndetur praktikisht me titullin në La Liga. Unë jam përgjegjësi kryesor për paraqitjen e sotme. Është dashur të shfaqnim më shumë përgjegjësi për paraqitjen e sotme. Është dashur që të demonstronim më shumë energji në fushë, të cilën, përpos Dembeles, nuk e kanë pasur të tjerët. Kanë mbetur edhe shtatë finale. Sot nuk luajtëm si të ishte një finale”, përfundoi Xavi.

Pasi i humbi thuajse të gjitha gjasat për titull të kampionit, tash Barça do të mundohet ta ruajë pozitën e dytë në tabelë. 

(Kosova Sot Online )