Klopp tregon se çka i pëlqeu tek skuadra e tij në duel me Man Utd

  • S.A /
  • 20 April 2022 - 09:25
Klopp tregon se çka i pëlqeu tek skuadra e tij në duel me Man Utd

Jurgen Klopp është ndarë i kënaqur me ndeshjen që e zhvilloi Liverpooli mbrëmë në fitoren e thellë, 4:0 ndaj Manchester United. Trajneri gjerman e festoi këtë fitore, e cila ia mundëson ekipit të tij ta marrë përkohësisht primatin në Premieligë, me një ndeshje më shumë se rivali kryesor për titull, Manchester City.

“Ajo që më pëlqen tek skuadra ime është se di të adaptohet në momente të ndryshme të lojës, që të mësojë gjithmonë të adaptohet me atë që vjen në fushë. Ndonjëherë duhet të bëjmë më shumë, por në përgjithësi ishte një ndeshje e bukur për ta parë. Mbi të gjitha, më pëlqeu dëshira që e demonstruam që nga minuta e parë”, deklaroi fillimisht Klopp për “BBC MOTD”.

“Goli i parë ishte rezultat i një vendosmërie të madhe, me Luis Diaz që u shërbye kur ishte i vetëm para portës. Një gol i shkëlqyeshëm. Por, edhe goli i dytë ishtë i mrekullueshëm, pas bashkëveprimit në mes të Salah e Mane”, vazhdoi Klopp.

Ai foli edhe për paraqitjen e shkëlqyeshme të mesfushorit spanjoll, Thiago Alcantara.

“Është një lojtar i madh. I jep ritëm skuadrës dhe kjo na ndihmon. Nuk ka shumë lojtarë si ai në qarkullim. Vetëm pak prej tyre i shohin gjërat para të tjerëve dhe e kanë edhe kapacitetin teknik për ta dërguar topin përpara. Por, në këtë lojë të gjithë ishin të shkëlqyeshëm dhe kjo është ajo për të cilën ke nevojë nëse dëshiron të fitosh ndaj United”, përfundoi Klopp.

Dy gola për Liverpoolin i realizoi Mohamed Salah, e nga një e shtuan Luis Diaz dhe Sadio Mane.

(Kosova Sot Online )