“S’do ta harrojmë kurrë atë që e bëtë për ne”, familja e Ronaldos i falënderon tifozët e Liverpoolit

  • S.A /
  • 20 April 2022 - 11:26
“S’do ta harrojmë kurrë atë që e bëtë për ne”, familja e Ronaldos i falënderon tifozët e Liverpoolit

Familja e Cristiano Ronaldos i ka falënderuar tifozët e Liverpoolit pas mbështetjes së jashtëzakonshme që e shfaqën ata për sulmuesin e Manchester United, i cili e përjetoi një tragjedi familjare pasi i vdiq djali i porsalindur. Tifozët në “Anfield Road” kënduan: “Kurrë nuk do të ecësh i vetëm” në gjuhën angleze, në minutën e shtatë të takimit, derisa për një minutë nuk munguan as duartrokitjet, për të nderuar, respektuar dhe ngushëlluar yllin portugez në këto momente të vështira nëpër të cilat po kalon ai.

Dhe, familjarët e CR7 shprehen mirënjohës dhe falënderues për gjestin që e bënë tifozët e Liverpoolit, të cilët në këto momente dhimbjeje e lanë anash rivalitetin e përjetshëm me United.

Motra e Ronaldos, Elma, e cila jeton në Madeira të Portugalisë, e shfaqi emocionin e saj duke e postuar në rrjetet sociale fotografinë e tifozëve “Reds” duke shkruar: “Faleminderit për këtë Liverpool. Ne nuk do ta harrojmë kurrë atë që e bëre ti sot”, ka shkruar ajo. Çifti Ronaldo – Georgina Rodriguez po prisnin binjakë, por vetëm vajza e porsalindur mbijetoi. Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp duartrokitjet në stadium i ka përshkruar si një “klas i pastër” dhe momentin më të mirë të ndeshjes. Liverpooli e fitoi derbin anglez ndaj Manchester United me rezultat 4:0. 

(Kosova Sot Online )