Klopp: Duartrokitjet për Ronaldon ishin momenti më i mirë i lojës

  • S.A /
  • 20 April 2022 - 12:18
Klopp: Duartrokitjet për Ronaldon ishin momenti më i mirë i lojës

Trajneri Jurgen Klopp thotë se mbështetja që ia bënë tifozët e Liverpoolit Cristiano Ronaldos ishte momenti më i mirë i lojës së mbrëmshme. Të dyja tifozeritë, ata të “Reds” dhe të Manchester Unitedit u bënë bashkë për të duartrokitur në minutën e shtatë për një minutë të plotë, për nder, respekt dhe ngushëllim të yllit portugez, të cilit i vdiq djali i porsalindur. Portugezit, i cili nuk luajti mbrëmë, iu dha një ovacion i madh nga tifozët, ndërsa ata të Liverpoolit e kënduan këngën e famshme: “Kurrë nuk do të ecësh i vetëm”, ndërsa kundërshtarët e tyre të United duartrokitën në këtë rast. Lojtarët e të dy ekipeve hynë në fushën e lojës duke vendosur shirita të zinj në krahë.

“Jam i sigurt se nëse e pyet këdo për këtë, por edhe për mua, mendoj se momenti i lojës, edhe pse ishte mjaft e rëndësishme dhe e morëm një rezultat të madh, ishte minuta e shtatë kur njerëzit tanë e shfaqën klasin e pastër”, deklaroi trajneri gjerman. “I gjithë stadiumi së bashku shfaqi klas të pastër, në një moment kur është e qartë se, nga ajo që i ndodhi Ronaldos, janë disa gjëra në jetë që janë më të rëndësishme sesa futbolli. Natyrisht, ne e ndiejmë dhimbjen me Cristianon dhe me familjen e tij”, vazhdoi Klopp.

Mohamed Salah i realizoi dy gola, ndërsa nga një e shtuan Luis Diaz dhe Sadio Mane, në fitoren e thellë të Liverpoolit me rezultat 4:0 ndaj United. Me këtë rast, Të Kuqtë e morën primatin në Premierligë, por e kanë një ndeshje më shumë të zhvilluar sesa rivali kryesor për titull, Manchester City.

(Kosova Sot Online )