Messi zgjidhet lojtari i tretë më i mirë në Evropë, i lë prapa Benzeman e Salahun

  • S.A /
  • 28 April 2022 - 12:07
Messi zgjidhet lojtari i tretë më i mirë në Evropë, i lë prapa Benzeman e Salahun

Lionel Messi është zgjedhur lojtari i tretë më i mirë në Evropë këtë sezon në një renditje kontroverse. Ylli argjentinas dështoi ta tregonte veten në sezonin e parë në futbollin francez që kur iu bashkua Paris Saint-Germainit nga Barcelona verën e kaluar. 34 vjeçari i realizoi vetëm katër gola në Ligue 1, por ia ka dalë t’i bëjë 13 asistime me PSG-në, ku së fundmi u shpall kampion i Francës falë barazimit 1:1 me Lensin. E përkundër vështirësive që i pati këtë sezon, Messi është renditur në vendin e tretë sa u përket paraqitjeve në pesë ligat më të forta të futbollit evropian, sipas uebsajtit “whoscored.com”.

Renditja është bazuar në mesataren e vlerësimit të lojtarëve në Premier League, La Liga, Ligue 1, Serie A dhe në Bundesliga. Renditja i ka marrë për bazë statistikat nga ndeshjet kampionale si golat, asistimet, mos-pranimi i golit, përqindja e saktësisë së pasimeve dhe zgjedhja e lojtarit të ndeshjes. Befasisht, Messi përfundoi i treti në këtë listë me një mesatare të renditjes për ndeshje prej 7.71 nga 10. Sulmuesi i Bayern Munichut, Robert Lewandowski i prin renditjes me një mesatare të vlerësimit për ndeshje prej 7.93, ndërsa shoku i skuadrës së Messit tek PSG-ja, Kylian Mbappe është i dyti me mesatare të vlerësimit për ndeshje, 7.91. Lewandowski i ka realizuar 33 gola në 31 ndeshje kampionale, derisa Mbappe i shënoi 22 gola në 31 ndeshje të ligës me PSG-në. Sulmuesi i Real Madridit, Karim Benzema, favorit absolut për ta fituar Topin e Artë këtë vit, ka përfunduar vetëm në vendin e katërt me një mesatare të notës prej 7.68.Ai realizoi dy herë ndaj Manchester Cityt të martën mbrëma duke arritur në kuotën 41, ndërsa 25 prej tyre i ka shënuar në ligë. Benzema e ndan vendin e katërt së bashku me sulmuesin e Liverpoolit, Mohamed Salah, i cili është lojtari më lartë i renditur nga futbollistët e Premierligës. Salah e ka një notë mesatare prej 7.68, ndërsa i ka realizuar 22 gola në 31 ndeshje të Premierligës këtë sezon.

Image

(Kosova Sot Online )