Klopp do të diskutojë me Liverpoolin për kontratën e re

  • S.A /
  • 28 April 2022 - 12:40
Klopp do të diskutojë me Liverpoolin për kontratën e re

Liverpooli do t’i hapë bisedimet me trajnerin Jurgen Klopp për kontratën e re.

Marrëveshja aktuale e trajneri gjerman me klubin anglez skadon në vitin 2024.

Mirëpo, indikacionet e fundit thonë se palët janë të interesuara për ta vazhduar bashkëpunimin edhe më gjatë, prandaj shumë shpejt pritet të nisin bisedimet për kontratë ne re. Lajmin e ka bërë të ditur portali “Goal.com.

Sipas tij, ish-trajneri i Borussia Dortmundit do ta vazhdojë kontratën për dy vjet, deri më 2026.

Mike Gordon, president i “Fenway Sports Group” ishte në “Anfield Road” mbrëmë në ndeshjen gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Villarrealin, së bashku me Marc Kosicke, menaxher i Kloppit dhe bisedimet pritet të nisin në ditët në vazhdim.

Klopp disa herë e kishte bërë të qartë se do të largohej nga “The Reds” pasi t’i skadojë kontrata aktuale.

Por, mësohet se në muajt e fundit ai ka nisur ta zbusë qëndrimin dhe Liverpooli beson se do ta bindë atë që ta zgjasë qëndrimin prej shtatë vjetësh në klub.

Klopp u ishte bashkuar Të Kuqve” në tetor të vitit 2015 dhe nga ajo kohë është bërë njëri prej trajnerëve më të mirë në botën e futbollit.

Ai e ka fituar Ligën e Kampionëve, Superkupën e Evropës dhe Botërorin e Klubeve në vitin 2019, për të triumfuar më pas edhe në Premierligë në vitin pasues, duke ia sjell Liverpoolit trofeun më të rëndësishëm vendor pas plot 30 vjetësh pritjeje.

Këtë sezon, Liverpooli mund t’i fitojë plot katër trofe. Kjo skuadër triumfoi në Carabao Cup në muajin shkurt, ndërsa e ka mundësinë t’i ngre lart edhe trofetë e Premierligës, Ligës së Kampionëve dhe FA Cup.

Klopp ka marrëdhënie të ngushta me pronarët e klubit, sidomos me Gordon dhe është entuziast me mënyrën se si po shkon klubi. 

(Kosova Sot Online )