
FFK e largoi nga puna – Eroll Salihu vazhdon me akuza

Eroll Salihu ka komentuar largimin e tij nga puna pranë Federatës së Futbollit të Kosovës.
Vendimi për shkarkimin e tij nga FFK-ja erdhi pas qëndrimeve publike të Salihut rreth procesit zgjedhor, që sipas tij ishte i parregullt, dhe po ashtu pas akuzave të rënda të tij ndaj kryetarit, Agim Ademi, shkruan Gazeta Express.
“E mora vesh nga mediat. Pas shpalljes së Kuvendit Zgjedhor që për mua është i paligjshëm, i jashtëzakonshëm. Jo vetëm për mua, por edhe për MKRS dhe gjithë njohësit. Pas KE vendosi që të më suspendoi, që në fakt nuk është e drejtë e tyre, por duhet të formohet një komision disiplinor ad-hoc. Në fund kanë vendosë shumë heshtazi, në mënyrë shumë tinëzare të shkarkohet një njëri pas 16 vjet pune në Federatë dhe pikërisht në vigjilje të gjashtë vjetorit të pranimit në UEFA dhe FIFA”, tha fillimisht Salihu, i cili pastaj tha se Agim Ademi e dëshiron eliminimin e figurave të rëndësishme në futbollin kosovar.
“Dhe ky njeri, dora e Agim Ademit i largoi të gjithë. Së pari e dimë se çfarë mendimi ka për Fadil Vokrrin, përkundër shtirjeve të mëdha, nuk ka qejf me ia përmend, Eroll Salihun po ashtu për arsye se kemi qenë pjesë e pashlyeshme e historisë së futbollit të Kosovës. Po ashtu Flamur Bunjaku që ka qenë anëtar i KE. Domethënë të gjitha figurat që kanë qenë shume të rëndësishme në pranimin e Kosovës në FIFA dhe UEFA ka tentuar t’i eliminojë dhe për fat të keq unë sot isha prapë i ftuar nga Prokuroria pikërisht për të bëmat e Agim Ademit. Për herë të katërt ftohen persona të ndryshëm. Ky person paramendoni që e ka gjykimin më të 12-tin për vepra penale, ka aktakuzë tash e dhjetë vite, për të cilën është dënuar me burg. Ka qenë në burg dy-tri herë, ka qenë në burg prapë për sulm ndaj anëtarëve të administratës disa herë. Në përgjithësi është duke e shkatërruar imazhin e FFK-së edhe këtu, edhe jashtë. Mos harroni që edhe disa Ambasada të huaja janë të interesuara për këtë problem sepse nuk është mirë të shkruhet për një kryetar të Federatës në Zvicër, Spanjë, Gjermani e kudo, që është një person që ka të kaluar shumë të keqe”.
Tutje, ish-sekretari i përgjithshëm i FFK-së tha se dikush nga politika e lajmëruar për një udhëzim administrativ që do të bëhet me vonë. Kuvendi Zgjedhor i FFK-së u mbajt më 6 prill, ku Agim Ademi u rizgjodh kryetar.
“Një fakt tjetër është se e ka lajmëruar dikush nga politika se do të del një udhëzim administrativ që ia ndalon personave që kanë precedentë gjyqësor ose që janë të akuzuar, pra që kanë akuzë të konfirmuar për vepra penale. Pos kësaj, delegatët e Kuvendit ndryshojnë sepse ekipet që hyjnë në Superligë dhe Ligë të Parë do të kenë numër më të madh të delegatëve. Të gjitha këto janë kalkulime personale të Agim Ademit, i cili për fat të keq është duke shkatërruar çdo gjë pozitive që është bërë në futbollin e Kosovës”, tha Salihu, i cili pranoi se mendon që Agim Ademi po hakmerret ndaj tij.
“Është hakmarrje. Domethënë nuk i interesojnë as ligji, as rregullat, as faktet. Është hakmarrës. Paramendoni në RTK ishte bërë një emision enkas për të. Gënjen dy herë, gënjeshtra të mëdha, se kinse nuk ka aktakuzë dhe del pas pak minutash. Pastaj thotë se nuk jam dënu nga UEFA, edhe i del dënimi nga UEFA. Pra, për të e vërteta nuk ka më rëndësi. Më rëndësi për të kanë interesat e ngushta personale. Ky ka bërë aq shumë vepra të këqija në raport me klubet, të cilat i ka përfituar në mënyra të ndryshme dhe të paligjshme, duke iu dhanë shuma marramendëse të hollash kinse për projekte të ndryshme, edhe kuptohet se prezenca ime aty ka qenë gjithmonë kërcënuese për Agim Ademin edhe pas gjithë atyre gjërave që i kemi bërë së bashku me KE-në”.
Eroll Salihu tha se do t’i marrë hapat ligjor lidhur me vendimin e Komitetit Ekzekutiv për largimin e tij nga puna.
“Sigurisht se do t’i marrë hapat ligjor. Unë jam i punësuar dhe i nënshtrohem ligjit të punës. Kam një ‘background’ në FFK. Por, një është i sigurt, unë jam i bindur dhe besoj prap në organet gjyqësore, ku do të kem gjykimin me të. Paramendoni ky është dënu, e ka pranu veprën penale”.
Salihu në fund zbuloi se ka qenë i ftuar edhe në Prokurori për shkak se Agim Ademi dyshohet për falsifikime me bari artificial.
“Sot kam qenë në hetuesi të Prokurorisë për shkak se ka bërë disa falsifikime me bari artificial, 700-800 mijë euro që e ka blerë. Pra, është e tmerrshme që një person që katër vite përflitet për të këqijat që i ka bërë, dëshiron me eliminu një person që për 16 vite si njeriu numër dy në FFK, që nuk ka asnjë incident. Por, gjithmonë me dinjitet e kam kryer punën time”, tha Salihu.
Eroll Salihu mbante pozitën e drejtor sportiv dhe Këshilltarit të lartë ligjor në FFK.
(Kosova Sot Online)