Ancelotti e komenton përmbysjen e madhe të Realit ndaj Cityt

  • S.A /
  • 05 May 2022 - 09:35
Ancelotti e komenton përmbysjen e madhe të Realit ndaj Cityt

Carlo Ancelotti e ka komentuar fitoren e madhe me përmbysje të Real Madridit ndaj Manchester Cityt, e cila ia mundësoi kualifikimin në finale të Ligës së Kampionëve.  “Los Blancos” rikthyen gjithçka në minutat shtesë pasi deri në minutën e 90-të ishin duke humbur 0:1. “Madhështia e këtij klubi është kjo, është një klub që nuk të lejon të dorëzohesh edhe kur gjithçka duket se ka marrë fund.

Të jep forcë të vazhdosh të luftosh, të besosh dhe kjo është ajo që e kemi bërë ne. Kemi luajtur kundër një kundërshtari mjaft të fortë. Në momentin kur gjithçka dukej e mbaruar, i gjetëm energjitë e fundit për të barazuar. Kur je i aftë dhe në gjendje ta barazosh lojën në minutat e fundit, e ke avantazhin psikologjik mjaft të madh. Ka ndodhur shumë herë, po e mendoj një finale të Championsit kundër Liverpoolit, ku na arritën në fund, më pas ishte një energji krejt tjetër”, deklaroi Ancelotti pas lojës. Ai foli edhe për rrugëtimin e “Los Blancos” deri në finalen e Parisit, ku i pret Liverpooli më 28 maj. “Mendoj se e kemi luajtur një të tetë të finales mjaft të vështirë dhe një çerekfinale po ashtu të vështirë. I kemi kaluar tri skuadra kandidate për ta fituar kompeticionin. Të arrish në finale nuk është një sukses, pasi jemi mjaft afër për ta fituar Kupën”, përfundoi Ancelotti. 

(Kosova Sot Online )