Ukraina e vendosi flamurin e Kosovës në fanellë, çmenden serbët

  • S.A /
  • 11 May 2022 - 10:28
Ukraina e vendosi flamurin e Kosovës në fanellë, çmenden serbët

Ukraina së fundmi e bëri një gjest të veçantë duke u munduar t’i falënderojë vendet që i dolën në krahë kundër luftës ndaj agresorit rus. Presidenti i Federatës së Futbollit të Ukrainës, Andrej Pavelko i ka prezantuar dje fanellat me të cilat do t’i zhvillojë ndeshjet e ardhshme kjo Kombëtare.

Në fanellë gjenden flamujt e vendeve që e mbështesin Ukrainën, e në mesin e tyre mund ta shohim edhe flamurin e Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, në mes të hartës së territorit të Ukrainës shkruan “Të bashkuar për Ukrainën”.

Dhe, ky veprim i ukrainasve i ka çartur serbët, të cilët e kanë konsideruar këtë si një provokim, derisa ato kanë pyetur se si është e mundur që një vend që nuk e njeh Kosovën si shtet, ta bëjë një veprim të tillë.

“Provokim ndaj Serbisë. Ukraina e vendos flamurin e shtetit të ashtuquajtur të Kosovës në fanellën e re!?”, shkruan në titullin e mediumit serb “Novosti Online”. Shkrimi vazhdon me shqetësimin e serbëve për këtë veprim të ukrainasve.

“Fanella i përmban të gjithë flamujt e vendeve që e mbështesin Ukrainën në luftën me Rusinë. Serbia nuk është në të. Por, ajo që është interesante është që Ukraina nuk e njeh shtetin fals, të shpallur në territorin e provincës jugore serbe”, vazhdon të shtrihet edhe më gjerë imagjinata e serbëve përmes portalit të këtij vendi.

Në pjesën e përparme të fanellës, së bashku me stemën e Ukrainës dhe logon e prodhuesit të fanellave, është ngjitur mbishkrimi “U24”, i cili e shpall hyrjen e mundshme të Ukrainës në Bashkimin Evropian.

E në pjesën e pasme të fanellës, përmes numrave, janë vendosur emrat e qyteteve të përfshira në konfliktin në mes të Ukrainës dhe Rusisë. Ukraina do të luajë kundër Skocisë në fillim të qershorit në duelin e vlefshëm për “play-offin” e Botërorit 2022. 

(Kosova Sot Online )