Ylli e Trepça synojnë t’i afrohen finales, Prishtina e Peja e kërkojnë barazimin e serisë gjysmëfinale

  • S.A /
  • 11 May 2022 - 10:41
Ylli e Trepça synojnë t’i afrohen finales, Prishtina e Peja e kërkojnë barazimin e serisë gjysmëfinale

Sonte dhe nesër mbrëma do të zhvillohen ndeshjet e dyta gjysmëfinale të “Play-off”-it në Superligën e basketbollit. Golden Eagle Ylli dhe Trepça do t’i kërkojnë fitoret e dyta të kësaj faze, ndërsa Sigal Prishtina dhe Peja, pasi i humbën duelet e para, synojnë ta barazojnë serinë gjysmëfinale të “play-offit” në Superligën e basketbollit. Therandasit janë sërish vendas ndaj prishtinasve, të cilët i kishin mposhtur bindshëm në takimin e parë, 73:48. Kampioni dhe lideri do të mundohet të shënojë fitore edhe në përballjen e dytë, në mënyrë që të jetë më afër finales, kurse prishtinasit pasi pësuan humbje të thellë në sfidën e parë, do të mundohen ta barazojnë serinë gjysmëfinale. Në garat e rregullta, Ylli kishte përfunduar si lider me 22 fitore e gjashtë humbje, kurse kryeqytetasit në vendin e pestë me 15 fitore e 13 humbje, ndërsa në katër përballjet direkte fitore kanë shënuar therandasit.

Gjysmëfinalja e dytë në mes të Trepçës dhe Pejës pritet të jetë e ‘zjarrtë’ si ajo e para, që përfundoi me fitoren e mitrovicasve 75:68.

Interesimi është i jashtëzakonshëm në Mitrovicë, ku atmosfera ishte e shkëlqyeshme në takimin e parë dhe kështu pritet edhe të enjten mbrëma.

Mitrovicasit i përfunduan garat e rregullta në vendin e dytë me 19 fitore e shtatë humbje, kurse pejanët në vendin e tretë me 18 fitore e dhjetë humbje.

Në ndeshjet direkte në elitë, tri fitore i kanë mitrovicasit ndaj një fitoreje të pejanëve.

Trepça e kishte mundur Pejën edhe në gjysmëfinale të Kupës.

Skuadra që shënon tri fitore kualifikohet në finale.

Gjysmëfinalet e dyta

E mërkurë

20:30 Golden Eagle Ylli – Sigal Prishtina    

E enjte

20:30 Trepça – Peja

(Kosova Sot Online )