Futbolli i Kosovës, në gjashtë vitet e anëtarsimit në FIFA

  • S.A /
  • 13 May 2022 - 13:46
Futbolli i Kosovës, në gjashtë vitet e anëtarsimit në FIFA

Futbolli kosovar e feston sot 6 vjetorin e anëtarësimit në FIFA. 13 maji i vitit 2016 ka hyrë në histori të futbollit të këtushëm, pasi sot gjashtë vjet më parë futbolli i Kosovës kishte dal plotësisht në dritë prej izolimit shumëvjeçar.

Vetëm dhjetë ditë pasi Kongresi i UEFA-s, i mbajtur në Budapest, kishte votuar pro pranimit të Kosovës, në Meksikë u mbajt Kongresi i FIFA-s, ku u shqyrtua aplikimi për anëtarësim i Federatës së Futbollit të Kosovës, që në atë kohë udhëhiqej nga legjenda, i ndjeri Fadil Vokrri, shkruan Gazeta Express.

Nga 205 delegatë sa ishin pjesëmarrës në këtë kongres, Kosova kishte marrë 141 vota për, duke u bërë kështu anëtarja më e re e familjes botërore të futbollit.

Me këtë rast, shtetit tonë iu mundësua të përfaqësohet me kombëtaren e saj në të gjitha garat e kësaj organizate.

Nga ajo kohë, qe 6 vjet, janë vërejtur ndryshime në aspektin pozitiv.

E arkitekt i krejt kësaj, komuniteti i futbollit e sheh legjendën Fadil Vokrri, i cili ndërroi jetë vetëm dy vjet pas pranimit në UEFA e FIFA.

Futbolli kosovar nga ajo kohë ka avancuar në disa aspekte, por në disa të tjera mbetet në gjendje të pakënaqshme.

Nga ajo kohë, Kosova e kë bërë një Kombëtare të respektuar në botë dhe nuk shihet gjithmonë si “outsider”.

Madje, “Dardanët” e arritën kulmin e tyre kur ishin shumë afër kualifikimit në Euro 2020, por që dështuan në ndeshjen vendimtare me Maqedoninë e Veriut.

Më pas, ata e patën një rënie, por që prapë mbeten një ekip që nuk nënçmohet nga Kombëtaret e mëdha.

Sa i përket futbollit vendor, niveli i Superligës është rritur nga ajo kohë.

Si rezultat i kësaj, edhe skuadrat kosovare kanë bërë paraqitje pozitive në garat evropiane dhe kjo ka bërë që në sezonin 2022/23 në garat evropiane të na përfaqësojnë katër skuadra, tri nga liga dhe fituesi i kupës.

Edhe Superliga e Kosovës ka bërë ngritje prej katër pozitash në renditjen e ligave të UEFA-s.

E kur jemi të infrastruktura, aty ka pasur lëvizje, por jo të mjaftueshme për kërkesat.

Është vendosur sistemi VAR dhe gjyqtarët e këtushëm po drejtojnë edhe ndeshje ndërkombëtare.

Janë ndërtuar disa fusha me bar sintetik, i cili tash po konsiderohet si i rrezikshëm për lojtarët dhe për shëndetin, kështu që klubet kanë nisur t’i rikthehen barit natyral.

Momentalisht Kombëtarja dhe klubet e kanë vetëm një stadium për t’i zhvilluar ndeshjet ndërkombëtare, atë “Fadil Vokrri” në kryeqytet, ndërsa stadiumi “Adem Jashari” në Mitrovicë ka pësuar dëmtime dhe nuk është më në gjendjen e dikurshme.

Është në plan të ndërtohet stadiumi nacional, por që nuk është hedhur ende guri i parë për ndërtimin e tij, derisa iu ndërrua disa herë edhe lokacioni, për poena politikë.

Sa i përket Federatës, në epokën e Vokrrit komuniteti i futbollit ishte i bashkuar dhe njëzëri, ndërsa pas vdekjes së tij, në FFK kanë nisur përçarjet, sidomos në dy vitet e fundit, me ç’rast janë krijuar edhe dy fraksione: pozitë dhe opozitë.

(Kosova Sot Online )