Donjeta Sadiku i tregon vlerat e Kosovës në Botërorin e Stambollit, nxjerr hak për meshkujt që s’i lanë të garonin në Serbi

  • S.A /
  • 17 May 2022 - 11:28
Donjeta Sadiku i tregon vlerat e Kosovës në Botërorin e Stambollit, nxjerr hak për meshkujt që s’i lanë të garonin në Serbi

Vitin e kaluar, boksierët kosovarë mbetën pa marrë pjesë në Kampionatin Botëror të boksit. Kjo për faktin se Serbia nuk i lejoi garuesit tanë të merrnin pjesë duke e përfaqësuar vendin e tyre, të cilin serbët e konsiderojnë ende si pjesë të tyre. Sidoqoftë, Donjeta Sadiku është duke nxjerrë hak për kolegët e saj të boksit.

Derisa atyre iu mohua një e drejt elementare, boksieria kosovare po shkëlqen në Botërorin e femrave në Stamboll. Garuesja nga Gollaku e ka siguruar tashmë medaljen në Botërorin që po mbahet në Turqi pasi është kualifikuar në gjysmëfinale.

Dhe, për medaljen e parë të Kosovës ndonjëherë në një Botëror në këtë sport luftarak ka shkruar edhe portali i njohur “insidethegames”. “Kosova mungoi në Kampionat Botëror të meshkujve shkaku i moslejimit për t’u futur në Serbi. Mirëpo, Donjeta Sadiku ishte në gjendje të garojë këtu në Stamboll dhe e siguroi podiumin pasi e mposhti garuesen Wu Shih-yi nga Taipei Kinez në peshat -60 kilogramë”, shkruan ky medium.

Paraprakisht, boksieria më e mirë kosovare i kishte mposhtur japonezen Ayaka Taguchi dhe kongolezen Jocelyne Tshamala.

E në gjysmëfinale, Donjeta do të ketë punë me amerikanen Rashida Ellis, e cila e kishte fituar të bronztën në Botërorin e shkuar.

Sadiku tashmë e ka siguruar të bronztën, por nëse fiton edhe në gjysmëfinale, ajo do ta sigurojë të argjendtën, por që do të luftojë edhe për të artën.

Donjeta Sadiku ka qenë e suksesshme edhe në Kampionatin Botëror dhe atë Evropian për juniore dhe për të reja, ku kishte fituar medalje po ashtu. Edhe ajo ishte “viktimë” e politikës pasi nuk iu kishte lejuar pjesëmarrja në Kampionat Botëror për seniore, që ishte mbajtur vite më parë në Indi. Por, me punë të palodhshme, me djersë të derdhur dhe me plot sakrifica, ajo ia doli ta realizojë njërën prej ëndrrave.

Pasi, ëndrra e saj më e madhe është medalja olimpike. 

(Kosova Sot Online )