FFK-ja i licencon katër klube të Superligës dhe i refuzon katër të tjerë për garat evropiane

  • S.A /
  • 25 May 2022 - 13:03
FFK-ja i licencon katër klube të Superligës dhe i refuzon katër të tjerë për garat evropiane

Katër klube janë licencuar dhe katër të tjerave u janë refuzuar kërkesat për aplikim për pjesëmarrje në garat evropiane nga Federata e Futbollit të Kosovës.  Kampioni Ballkani, nënkampioni Drita, i treti në tabelë, Gjilani dhe finalisti i Kupës, Llapi, klube këto që pritet të marrin pjesë në garat evropiane në edicionin 2022/23 janë licencuar nga shtëpia e futbollit kosovar.

Ndërkohë, Komisioni i Shkallës së Parë për Licencimin e Klubeve për garat e UEFA-s u ka dhënë përgjigje negative klubeve të tjera si Prishtina, Dukagjini, Malisheva dhe Drenica, shkruan “Gazeta Express”.

“Pas shqyrtimit të dokumentacionit të klubeve aplikuese për licencim, për shkak të mospërmbushjes së të gjitha kritereve të kërkuara nga Superliga e meshkujve nuk janë licencuar FC Prishtina, KF Dukagjini, FC Malisheva dhe KF Drenica”, njofton FFK-ja.

E nga Liga e Parë e femrave, për licencë kanë aplikuar KFF Ep-Com dhe KFF Mitrovica.

Mitrovicaset janë licencuar, kurse aplikimi i KFF Ep-Com është refuzuar nga Komisioni i Shkallës së Parë.

E pas ankesës së këtij klubi, Komisioni i Shkallës së Dytë ka vendosur që edhe KFF Ep-Com të licencohet.

Klubet e palicencuara, kanë afat ankese sipas rregullores së UEFA-s për licencimin e klubeve për garat evropiane.

(Kosova Sot Online )